SHÇBA arreston policin që aksidentoi për vdekje me makinë këmbësorin



SHÇBA arreston policin që aksidentoi për vdekje me makinë këmbësorin

10:44 23/04/2021

“Shkeli rregullat e qarkullimit, ishte duke transportuar dy të arrestuar”

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat ka arrestuar punonjësin e policisë V.Xh. 41 vjeç i cili mbrëmjen e së enjtes aksidentoi për vdekje me makinë këmbësorin 64-vjeçar me iniciale B.Z. në aksin Maliq-Korçë.

Në njoftimin zyrtar, SHÇBA thotë se inspektori i policisë po transportonte me makinë 2 të arrestuar drejt Komisariatit të Korçës. Por pranë fshatit Çiflik përplasi me makinën e policisë këmbësorin 64-vjeçar, i cili si pasojë e plagëve të marra humbi jetën menjëherë.

Inspektori i policisë akuzohet për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

Njoftimi i SHÇBA:

Drejtoria Rajonale e SHÇBA-së Elbasan-Korçë arrestoi në flagrancë një punonjës policie, pasi aksidentoi për vdekje një shtetas në aksin rrugor Maliq-Korçë

Më datë 23.04.2021, ora 03:00, Drejtoria Rajonale e SHÇBA-së Elbasan-Korçë ka bërë arrestimin në flagrancë të punonjësit të policisë, Inspektor V. XH., 41 vjeç, me detyrë Trupë Shërbimi në Komisariatin e Policisë Pogradec, pasi duke drejtuar mjetin e policisë tip Ford, ky shtetas ka aksidentuar në aksin rrugor Maliq-Korçë, në afërsi të fshatit Çiflik, shtetasin B. Z., 64 vjeç, i cili si pasojë e goditjeve të mara ka gjetur vdekjen e menjëhershme.

Ngjarja ka ndodhur ndërsa punonjësi i policisë, V. XH. po transportonte me mjetin e policisë dy shtetas të arrestuar, drejt dhomave të sigurisë në Komisariatin e Policisë Korçë.

Specialistët e Drejtorisë Rajonale të SHÇBA-së Elbasan-Korçë kanë bërë të gjitha veprimet proçeduriale, ndërsa materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”. Hetimet në kuadër të këtij procedimi penal po vazhdojnë.

SHÇBA fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të shkeljes së ligjit, duke telefonuar në numrin falas 0800 90 90 dhe duke garantuar reagim të shpejtë dhe të ashpër ligjor. /tvklan.al







Të ngjashme