Në pranga edhe 3 persona të tjerë

4 persona janë arrestuar nga policia, një ditë pas sherrit në Mamurras, ku u plagosën dy efektivë policie. Në pranga ka rënë polici David Medani, i cili plagosi nga pakujdesia 2 kolegët e tij Flamur Lleja dhe Ilir Zekaj, si dhe një person të identifikuar si Nikoll Fufi 36 vjeç, që mban edhe mbiemrin Vorfi, i cili gjithashtu është arrestuar. Të prangosurit e tjerë janë Gjon Fufi 40 vjeç dhe Rudolf Selmanaj, 31 vjeç.

Gjithçka nisi pas një kontrolli që policia ushtroi në orët e paradites në një lokal në pronësi të një personi me iniciale L. Fufi pas dyshimeve se aty organizoheshin lojëra fati në mënyrë të paligjshme. Gjatë ushtrimit të detyrës punonjësit e policisë kanë hasur në kundërshtimin e Nikollë Fufit, i cili është shoqëruar në ambientet e Stacionit të Policisë në Mamurras dhe pas sqarimit të situatës ai është lënë i lirë.

Por rreth orës 13:50, kur punonjësit e policisë kishin ndërruar turnet e shërbimit, dy vëllezërit Fufi u kanë dalë përpara efektivëve të uniformave blu dhe sipas njoftimit zyrtar i kanë sulmuar ata me mjete të forta. Në këtë situatë punonjësi i policisë David Medani ka qëlluar me armë fillimisht në ajër dhe më pas për t’i paralajmëruar, por ka plagosur 3 persona, mes të cilëve 2 kolegë të tij.

Ndaj policit rëndojnë akuzat “plagosje e rëndë në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme” dhe “plagosje e rëndë nga pakujdesia”. Ndërsa 3 personat e tjerë akuzohen për “goditje dhe kanosje për shkak të detyrës” në bashkëpunim. Të lënduarit u dërguan në spitalin e Traumës në Tiranë për trajtim të specializuar ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Në vendin e ngjarjes u sekuestruan 3 gëzhoja, pistoleta e policit dhe një makinë “Porche Cayen” e autorëve të ngjarjes.

Tv Klan