Struktura e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA), Tiranë nisi verifikimet për veprimet apo mosveprimet e Policisë, menjëherë pas ngjarjes së ndodhur në datën 8 Qershor 2018, në rrugën “Don Bosko”, ku Xhafer Mata vrau me armë zjarri 19-vjeçaren Xhuljeta Çuni, e më pas veten.

Në një njoftim për mediat, të shpërndarë nga zyra për shtyp e Ministrisë së Brendshme thuhet se

“SHÇBA kreu verifikimet e plota për të këqyrur veprimet policore, duke nisur me intervistimet e punonjësve, kqryrje libra shërbimi, dokumentacioni, kamera etj”.

Nga gjithë verifikimet e kryera, thuhet në njoftim, ka rezultuar se Policia ka marrë kallëzim në datën 7 Maj 2018 nga Xhuljeta Çuni, për përndjekje. Materialet janë referuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe pas vlerësimit të kallëzimit nga Prokuroria është bërë regjistrimi i procedimit penal, për të vijuar më pas me hetimin.

Pas kallëzimit, Prokuroria nuk i ka deleguar veprime të tjera shtesë Policisë, duke vijuar vetë me veprimet hetimore. Policia e Shtetit nuk ka marrë asnjë ankesë tjetër apo t’i jetë bërë prezent ndonjë shqetësim nga Xhuljeta Çuni, pas kallëzimit të datës 7 Maj 2018.

“Pra, nga verifikimet e kryera nga SHÇBA dhe analizimi i dokumentacionit të administruar, nuk rezulton se punonjësit e Policisë që kanë trajtuar ngjarjen të kenë konsumuar elementë të ndonjë vepre penale, duke shpërdoruar detyrën”,

thuhet më tej në njoftimin për mediat.

“Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit mbetet e gatshme për të pritur çdo ankesë apo informacion për shkelje të konstatuara nga punonjës të Policisë, duke rikujtuar numrin ku mund të denoncohet falas 0800 90 90”

, përfundon njoftimi.

/tvklan.al