Zyrtarët austriakë të inteligjencës janë vënë nën kritika pas zbulimit të detajeve të reja për sulmin terrorist të Vienës që u mori jetën 4 personave të hënën në mbrëmje.

Ata akuzohen se kanë dështuar të parandalonin sulmin edhe pse kishin marrë informacione për aktivitetin e 20-vjeçarit me origjinë nga Maqedonia e Veriut, Kujtim Fejzullai. Në Korrik të këtij viti ai ishte përpjekur të blinte armë në Sllovaki.

Në atë kohë ai u takua me 2 persona nga Gjermania që mbaheshin prej kohësh nën vëzhgim. Për shkak të këtyre zhvillimeve shefi i anti-terrorit në Policinë e Vienës ka dhënë dorëheqjen. Ministri i Brendshëm Karl Nehammer tha se “gabimet ishin të dukshme dhe të patolerueshme”.

Një xhami dhe një shoqatë që frekuentohej nga 20-vjeçari tashmë janë mbyllur. Besohet se ato kishin ndikuar në radikalizmin e tij pasi dyshohet se ajo mbante lidhje me radikalët islamikë që luftojnë në Siri.

Njëri prej predikuesve të kësaj xhamie u vra në Siri nga një sulm me dron duke drejtuar një grup ushtarak gjemanishtfolës. 20-vjeçari Fejzullai kaloi 20 muaj në burg pas tentativës së tij për t’iu bashkuar Shtetit Islamik në Siri. Ministri i Brendshëm austriak tha se si kishte mashtruar organizatorët e një programi deradikalizimi.

Një seri arrestimesh u bënë në Vienë pas sulmit. 8 persona të moshës nga 16 në 24 vjeç u lanë në paraburgim nga gjykata. Dy persona të tjerë janë arrestuar në Zvicrën fqinje ndërsa hetimet janë shtrirë edhe në Gjermani.

Tv Klan