Drejtori i CIA-s Mike Pompeo tha të enjten se nuk kishte asgjë të papërshtatshme përsa i përket takimit të tij me shefat e spiunazhit rus. Ai shtoi se megjithëse Rusia mbetet një vend kundërshtar, të mos përfitosh nga mundësia për të bashkëpunuar në çështjet e sigurisë, kjo do të rrezikonte jetën e qytetarëve amerikanë.

Zoti Pompeo i dërgoi një letër të enjten udhëheqësit të pakicës në Senat Chuck Schumer, i cili kishte ngritur pikëpyetje rreth takimit. Senatori Schumer ishte shprehur se takimi ishte i dyshimtë, pasi vinte vetëm pak ditë para vendimit të administratës Trump për të mos ndërmarrë tani për tani sanksione të reja kundër politikanëve dhe oligarkëve rusë rreth ndërhyrjes ruse në zgjedhjet e 2016-s.

Zoti Pompeo i shkruante senatorit Schumer se zyrtarët amerikanë të zbulimit takohen periodikisht me homologët e tyre rusë për të diskutuar tema të ndryshme, duke përfshirë antiterrorizmin, sigurinë e aviacionit dhe moslejimin e luftëtarëve të huaj për t’u kthyer në SHBA apo Rusi.

Drejtori i CIA-s nuk i identifikoi me emër rusët me të cilët u takua në Uashington javën e kaluar, por dy zyrtarë amerikanë thanë se ata ishin Sergei Naryshkin, kreu i Shërbimit të Zbulimit të Jashtëm dhe Alexander Bortnikov, i cili drejton Shërbimi Federal të Sigurisë, pasardhëse e KGB-së. Zyrtarët folën në kushte anonimiteti.

Dy zyrtarët e zbulimit rus ishin objekt sanksionesh në vitin 2014 në përgjigje të agresionit rus në Ukrainën lindore, Naryshkin nga SHBA dhe Bortnikov nga Bashkimi Evropian.

Senatori Schumer tha se sanksionet ndaj Naryshkin përcaktonin ndëshkime të rënda financiare dhe ndalonin hyrjen e tij në SHBA pa një heqje dorë.

CIA tha se çdo ndërveprim me zyrtarët e huaj të shërbimeve të fshehta kryet në përputhje me ligjin dhe në konsultim me departamentet dhe agjencitë përkatëse.

/VOA