Lavrov i përgjigjet kritikave të Perëndimit: Ndryshe thoni, ndryshe veproni!

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, deklaroi se Rusia nuk po i tërheq trupat e saj ushtarake në qytetet Kiev dhe Chernihiv, çka konfirmon në këtë mënyrë skepticizmin e zyrtarëve amerikanë lidhur me premtimet e Moskës për të reduktuar operacionet ushtarake.

“Sipas të dhënave tona të inteligjencës, njësitë ruse nuk po tërhiqen por po ripozicionohen. Rusia po përpiqet të rigrupohet, të rifurnizohet dhe të përforcojë ofensivën e saj në rajonin e Donbasit. Në të njëjtën kohë, kërkon të ruajë presionin ndaj Kievit dhe qyteteve të tjera. Kështu që ne mund të presim sulme të tjera që do të sjellin edhe më shumë vuajtje”.

Ukraina dhe Perëndimi nuk besojnë tek zotimi i Moskës në bisedimet e paqes që u zhvilluan në Turqi.

“Ne duhet të gjykojmë Rusinë për veprimet e tyre, jo për fjalët e tyre, dhe mbetet për t’u parë nëse ka ndonjë vullnet nga pala ruse për të gjetur një zgjidhje politike”.

Sakaq, sa i përket kësaj çështjeje ka reaguar edhe ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov i cili nënvizoi se vetë Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk i kanë respektuar kurrë angazhimet e tyre në shumë çështje globale.

“Unë nuk mund të mendoj apo të fantazoj për presidentin amerikan Joe Biden, ashtu siç nuk mund të fantazoj për Sekretarin e Shtetit Antony Blinken. Nëse flasim për ata që fjalët e tyre ndryshojnë nga veprat , atëherë ka shumë shembuj kur Shtetet e Bashkuara  të Amerikës thonë një gjë dhe bëjnë diçka krejtësisht tjetër. As nuk dua t’i rendis këtu tani”, ishin fjalët e tij për Uashingtonin.

Klan News