petrit varguTelevizioni Klan e ka trajtuar disa herë çështjen e mungesës së medikamenteve në Qendrën Spitalore Universitare, Nënë Tereza. Konfirmimi për situatën vjen edhe nga Brenda qendrës. Shefi i Pavionit Intermediar në Urgjencën e Kardiologjisë, PetritVargu, ish –kandidat për deputet i Partisë Socialiste në Tiranë, thotë se mungojnë të paktën 5 ilaçe bazë, të domosdoshme. Sipas tij, shëndetësia është në ditët e saj me të këqija.

Vetëm një muaj më parë Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja do të trumbetonte me të madhe se në 100 ditët e para të qeverisë, institucioni që ai drejton arriti t’i japë fund një herë e mirë mungesës së barnave në Qendren Spitalore Universitare Nënë Tereza.

Sot bluzat e bardha flasin për një tjetër situatë. Petrit Vargu, shef i pavionit intermediar në urgjencën e kardiologjisë dhe ish –kandidat i Partisë Socialiste në qarkun e Tiranës, denoncon mungesën e të paktën pesë barnave bazë, tejet të domosdoshme për të dhënë ndihmën e parë.

Për mjekunVargu, ky nuk është problemi i vetëm me të cilin ndeshen pacientët. Çdo ditë mijra qytetarë të ardhur nga të gjitha rrethet dynden në dyert e QSUT-ës. Arsyeja: Asnjë skaner nuk punon në spitalet e rretheve, madje as ai në Durrës, që para pak ditësh u tha se u rregullua. Për ta vënë sërish në punë, nevojitet një kartë grafike që kushton rreth 10 mijë euro, siç thonë jashtë cameras drejtues të spitalit.

Shefi i pavionit intermediar në urgjencën e kardiologjisë thotë se shëndetësia po vuan ditët e saj më të këqija. Përsa u përket analizave falas, ai shprehet se lista e hartuar nga ministria e shëndetësisë është e pamjaftueshme.