Sulmet e fundit të Izraelit në Liban janë përgatitje për operacion tokësor, sipas shefit të ushtrisë izraelite.

“Ju dëgjoni avionët lart, ne kemi sulmuar gjatë gjithë ditës. Kjo është edhe për të përgatitur terrenin për hyrjen e mundshme të trupave në Liban. Sot Hezbollahu zgjeroi rrezen e tij të zjarrit dhe më vonë sot ata do të marrin një përgjigje shumë të fortë. Përgatituni.”

Më tej, shefi i ushtrisë ka thënë se sulmet izraelite nuk do të ndalen dhe do i godasin kudo, teksa ka shtuar se qëllimi është shumë i qartë, që banorët e veriut të kthehen të sigurtë në shtëpitë e tyre.

Gjatë fjalës së tij, ai ka thënë se për ta arritur këtë, ushtria po përgatit procesin e një manovre që do të thotë se “çizmet e tyre ushtarake do të hyjnë në territorin e armikut”, në ato zona që sipas tij, Hezbollahu i ka përgatitur si poste të mëdha ushtarake.

Sipas Forcave të Mbrojtjes, Izraeli ka goditur më shumë se 2 mijë objektiva në Liban që nga nisja e sulmeve ajrore atje.

“Gjatë 3 ditëve të fundit ne kemi goditur më shumë se 2,000 objektiva terroristë në Liban, duke përfshirë disa qindra sot,” tha zëdhënësi ushtarak, admin Daniel Hagari në një konferencë për media.

Ndërkohë, referuar një raporti të OKB, më shumë se 90 mijë persona janë larguar nga Libani që nga e hëna. Një përditësim nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare thotë gjithashtu se që nga e hëna, rreth 600 njerëz janë vrarë, duke përfshirë 50 fëmijë dhe 94 gra.

Izraeli deklaron se ka si synim që të heqë kërcënimin nga Hezbollahu dhe të kthejë banorët e zhvendosur në Izraelin verior. Nga ana tjetër, Hezbollahu thotë se po i reziston agresionit izraelit dhe po vepron në solidaritet me palestinezët në Gaza./tvklan.al