“Shefi”, prokurori italian: Droga trafikohej nga Orikumi, hetimet nisën nga nivele të larta

Posta

“Shefi”, prokurori italian: Droga trafikohej nga Orikumi, hetimet nisën nga nivele të larta

11:21 16/03/2018

Duke iu referuar operacionit të koduar “shefi”, prokurori italian ka deklaruar se sasi të mëdha kanabisi janë trafikuar nga Orikumi drejt Barit në periudhën 2016-2017.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp nga Tirana së bashku me drejtuesin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Prokurori i Antimafias në Bari u shpreh se nuk ka një person specifik që fshihet pas emrit “shefi”, por ky është emërtimi që iu vendos operacionit antidrogë të zhvilluar më 14 Mars.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, ai tha se emri “shefi” u vendos për shkak se hetimi për trafikun e sasive të mëdha të drogës nga Shqipëria drejt Italisë, nisi nga nivele të larta. Që do të thotë se u hetuan direkt personat përgjegjës që bënin trafikun, dhe jo shpërndarësit apo transportuesit e kanabisit.

“I kemi vendosur emrin “shefi” sepse ky organizim ka ardhur nga lart. Nuk u mjaftuam vetëm me faktin e personazheve të drogës në Itali, por u përqëndruam në faktin për të gjetur përgjegjësinë në personat që e dërgonin drogën. Zona që vinte droga duhet të ketë qenë Orikumi. Shefi është emri i operacionit, jo emri për një person të caktuar. Sepse në vijim të operacioneve janë vënë dy organizata të ndara. Njëra që drejtonte direkt në Bari drogën dhe një tjetër që e transportonte në vendin e quajtur Mora di Bari, dhe ishin dy organizata të ndryshme”,

u shpreh prokurori italian i Antimafias së Barit.

Ndërkohë, drejtuesi për Prokurorinë e Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj deklaroi se më datë 14 Mars autoritetet italiane lëshuan urdhër-arreste për 21 shqiptarë, nga të cilët 19 janë arrestuar dhe 2 të tjerë ndodhen në kërkim. Në territorin shqiptar u lokalizuan dhe u arrestuan Mariglen Shusha, Donial Droli, Hamid Seferi dhe Malton Lleshi pas urdhrave të nxjerrë nga prokuroria italiane. Së fundmi është arrestuar edhe shqiptari tjetër Dino Abazim i cili u prangos në Leçe. 

Nga hetimet e përbashkëta mes Shqipërisë dhe Italisë, ku në total u arrestuan 42 persona (22 italianë, 19 shqiptarë, 1 rumun), ka rezultuar se organizata kriminale ka trafikuar 2.5 ton kanabis sativa në periudhën 2016-2017. /

tvklan.al


Reklama
Grupi
LAJMET

Të ngjashme

Reklama
UKT
Grupi
UKT