Shefja e epidemiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik deklaroi këtë të mërkurë se pret që piku i rasteve me të infektuar nga koronavirusi në Shqipëri të jetë në përfundim të kësaj jave dhe javën e ardhshme.

Eugena Tomini gjatë një lidhjeje me Skype në emisionin “Opinion” u shpreh se javën e ardhshme beson se do të ketë më shumë raste të personave që do të kërkojnë asistencë respiratore në reanimacion.

“Unë theksoj që nuk jemi në pikën kritike të shfaqjes së rasteve të rënda që kërkojnë asistencë respiratore. Theksoj që javën në vazhdim do të kemi pikun e rasteve që do të kërkojnë edhe asistencë terapeutike në drejtim të reanimacion. Mbyllja e kësaj jave dhe java e ardhshme besoj që do të jenë piku i prezencës së epidemisë”, tha Tomini.

Tomini u shpreh se virusi po sillet në një mënyrë atipike, pasi është vërejtur në vendin tonë edhe në mosha të reja.

“Megjithëse virusi po bën kapriço sepse po bën atipizëm në prekjen e grupmoshave sepse ka mbizotëruar edhe në grupmoshën e të rinjve, që ne themi 25-45 vjeç. Është për t’u parë në vijim sepse deri tani kemi theksuar shumë për moshën e tretë, por duhet të themi që ka atipizim të virusit kundrejt moshave të reja. Është për t’u parë edhe në vijim. Kemi edhe rikuperime rreth 17 raste, mosha mesatare 39.8 vjeç. Kemi shumë punë për të bërë dhe kjo punë është e përbashkët”, tha Tomini./tvklan.al