Pas deklaratës së Lulzim Bashës se lista e kandidatëve të Partisë Socialiste për zgjedhjet lokale është pasqyrë e bashkëpunimit të kryeministrit Rama me bosë të bandave kriminale, një tjetër akuzë në adresë të kreut të qeverisë vjen nga kampi opozitar. Aleatët e Bashës pas një takimi që patën me kryedemokratin folën për manipulim elektoral, duke ripërsëritur qëndrimin se zgjedhje në 30 Qershor nuk do të ketë.

Dashamir Shehi Kryetar i LZHK-së :

PS-ja ka filluar manipulimin zgjedhor që tani me spostimin e KQZ te arshivat, tani me vetëm 25 kandidatë nuk ka garë konkurruese, 36 bashki janë pa kandidatë alternativë. Që tani kanë rënë moralisht zgjedhjet. Po mundojnë të falsifikojnë, i kanë spostuar komisionet, do të sajojnë kandidatë të sajuar këto dy tre ditë . Qe sot ka filluar manipulimi zgjedhor.

Të hapur janë për të negociuar për zgjidhjen e krizës me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve, por nuk heqin dorë nga kushti për largimin e kryeministrit dhe krijimin e një qeverie tranzitore. Madje për këtë të fundit kanë edhe propozime konkrete.

Me afrimin e datës së zgjedhjeve, ku maxhoranca duket e vendosur për të shkuar edhe e vetme, opozita paralajmëron përshkallëzim të aksionit politik. Në një mbledhje të zhvilluar në selinë blu me krerët e partive aleate si dhe kryetarët e degëve të Partisë Demokratike, mësohet se është diskutuar për protestën kombëtare të radhës, për të cilën do të vendosë pasdite kryesia e partisë dhe grupi i ish-deputetëve. Mësohet se në takim është diskutuar data 25 si më e mundshmja për protestën e radhës, por nuk përjashtohet edhe data 1 Qershor.

Tv Klan