Të tjerë banorë të zonës së Astirit kanë pranuar bashkëpunimin me Bashkinë e Tiranës për t’i hapur rrugë zhvillimit të projektit të Unazës së Madhe. Në një takim me kryebashkiakun Erion Veliaj, Servet Metko nga Tepelena pranoi që ta lirojë vetë objektin pa leje. 

“Pothuajse kemi një muaj që e kemi boshatisur, e kam hequr qiraxhiun. Jemi për zhvillimin, është diçka që i shërben gjithë qytetit”,

tha Merko.

Veliaj falenderoi banorët që janë distancuar nga aktet e bllokimit të rrugës dhe kanë pranuar t’i hapin rrugë projektit për transformimin e segmentit nga Pallati me Shigjeta deri te Dogana.

“Shumica prej tyre kanë zbrazur vetë vullnetarisht të gjitha asetet që kanë, dyqanet apo shtëpitë që do preken nga projekti. Dua t’i falenderoj publikisht të gjithë miqtë që, si ata nga Tropoja, Kukësi dhe Dibra gjetën gjuhën me bashkinë për të bërë zhvillimet e tyre në anën tjetër, ashtu edhe miqtë tanë nga Tepelena, Skrapari dhe Korça të interesohen për familjen dhe zhvillimin e tyre”.

Kreu i Bashkisë u bëri thirrje banorëve që të mos përdoren politikisht.

“Unë besoj se para Vitit të Ri kjo punë do të ketë marrë fund. Për të gjithë ata që besojnë se mund ta pengojnë qytetin ose mund t’i përdorin protestat si “mish për top“ për interesat e tyre politike e kanë davanë e humbur. Dua të falenderoj masivisht banorët e “Astirit” që janë distancuar nga politika”.

Deri tani janë shembur 20 objekte pa leje që preken nga gjurma e projektit të Unazës së Madhe, ndërsa sipas Bashkisë do të shemben edhe 10 të tjera, duke e çuar në 30 numrin total të objekteve të shembura.

Tv Klan