Rama: Banorët do të strehohen në shtëpi me qira

Ka nisur këtë të premte shembja e godinave në Universitetin Bujqësor, të dëmtuara nga tërmeti. Këto godina paraqisnin rrezik për familjet dhe studentët e strehuar aty.

Ishte kryeministri Rama që i shoqëruar nga kryebashkiaku Veliaj ndoqi nga afër aksionin. Rama tha se e gjithë zona do të transformohet, duke shënuar një fazë të re për Kampusin Universitar që do të ndërtohet aty.

Edi Rama: Tani, në këtë rrugë e sipër nga çfarë ndodhi dhe çfarë u rrënua, duhet të rindërtojmë 100 herë më mirë seç ka qenë. Do bëhen konvikte që do jenë për të gjithë studentët e universitetit bujqësor, edhe mblidhen të gjithë këtu. Pastrohet gjithë situata dhe ata njerëz që ishin atje, që rrinin në ato kushte mizerabël të shkojnë nëpër shtëpi me qira.

Kryebashkiaku Veliaj u shpreh se për familjet që banonin në këto godina do të kenë kushte më të mira strehimi.

Erion Veliaj: Ne duam të shtojmë më shumë hapësira pasi vetëm dy godina ishin me student. Tetë godina ishin të zaptuara. Tani ata kanë marrë të gjithë qira për shtëpitë ku janë futur, do marrin nesër një apartament tek këto ndërtimet e reja që ne do të bëjmë dhe këta do të zhvendosen si lagje.

Inertet e mbetura pas prishjes të këtyre godinave do të përdoren për terminalin provizor që po bëhet tek kthesa e Kamzës.

Tv Klan