Rama: S’ka lidhje me mediat, ishte pa leje

Në këtë mënyrë Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit shembi këtë të diel hotelin e një resorti në plazhin e Golemit.

Për shembjen e objektit 7-katësh u përdorën 70 kilogramë lëndë shpërthyese si dhe 4 mijë metër fitil. Sipas IMT, resorti nuk kishte leje dhe për këtë arsye duhej shembur. Ndërsa kompania që ka ndërtuar resortin pretendon të kundërtën dhe thotë se ka një leje zhvillimore të miratuar në vitin 2016. Për këtë çështje ka reaguar kryeministri Rama që thotë se leja e zhvillimore nuk është leje ndërtimin.

“Një leje zhvillimi është njësoj me një leje ndërtimi sa ç’është një certifikatë lindjeje baraz me një leje drejtimi! Të bësh viktimën e lirisë së medias pse t’u prish një pallat pa leje është njësoj si të bësh viktimën e dhunës policore pse s’të lënë ta ngasësh makinën pa patentë!”

Shembja sipas kompanisë është sulm ndaj vijës editoriale që mbajnë mediat e “Fokus Grup” që kanë të njëjtin pronar me resortin. Por kryeministri Rama thotë se vendimi nuk ka lidhje me lirinë e mediave.

“Ky operacion i përfolur, përqeshur e anatemuar nga gjithë kundërshtarët tanë s’ka asnjë lidhje me median. Ka të bëjë vetëm me fundin e një historie mizerabël babëzie ndërtimesh në shkelje të ligjit për qëllime fitimi! Zor se ndonjë ndërtues do i bëjë dot karshillëk ligjit paskëtaj!”

Kreu i qeverisë thotë se deri tani janë 15 vendime konfiskimi për ndërtimet pa leje. Sipas Ramës kontrollet po vazhdojnë dhe së shpejti do të ketë një normë e re ligjore për kontrollin e detyruar sistematik, maksimumi çdo 60 ditë të zbatimit të lejeve të ndërtimit.

Tv Klan