Tension e përplasje mes protestuesve dhe policisë

Ky është momenti i shembjes së Teatrit Kombëtar. Ka qenë ora 04:30 e mëngjesit të sotëm kur fadromat nisën shembjen e godinës.

Në ndihmë shkuan forca të shumta policie dhe ato të RENEA-s, të cilat kanë ndërhyrë për të nxjerrë jashtë aktorët dhe aktivistët e ngujuar brenda godinës.

Jo të pakta qenë tentativat e artistëve për të ndaluar shembjen e teatrit, që çuan edhe në tensione e përplasje të forta mes tyre dhe efektivëve të policisë.

Në kundërpërgjigje artistët që protestonin u shpërndanë nga policia. Disa prej tyre u shoqëruan në komisariat.

Por përplasjet si penguan aspak fadromat të vijonin me prishjen e teatrit edhe me zbardhjen e ditës.

Pavarësisht rezistencës, policia e cila kishte formuar një kordon mbrojtje që kundërvepronte sa herë tentohej që të çahej nga protestuesit.

Pati jo vetëm aktorë që u përplasën me forcat e rendit e që më pas u shoqëruan, por edhe përfaqësues të opozitës.

Rezistenca e qytetarëve për mbrojtjen e teatrit vijoi edhe gjatë paradites. Në mesditë artistët që u shoqëruan gjatë natës iu bashkuan protestës, duke mos e fshehur dhimbjen për shëmbjen e godinës.

Betejën thanë se do ta vijojnë duke i ftuar qytetarët t’u bashkohen në mosbindje civile.

Qytetarët dhe artistët vijojnë ende të qëndrojnë në sheshin përpara Galerisë së Arteve, teksa godina e vjetër e Teatrit Kombëtar është rrëzuar e tëra nga fadromat e Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit.

Tv Klan