Shembet tribuna gjatë ndeshjeve me dema, 4 viktima





Shembet tribuna gjatë ndeshjeve me dema, 4 viktima

09:40 27/06/2022

Mbi 300 të plagosur nga ngjarja tragjike në Kolumbi

Të paktën katër persona janë vrarë dhe më shumë se mbi 300 janë plagosur pasi një tribunë u shemb gjatë një ndeshjeje me dema në Kolumbi.

Tribuna trekatëshe prej druri të mbushur me plot spektatorë ka rënë në një stadium në qytetin El Espinal, në departamentin Tolima në Kolumbinë qendrore. Në këtë stadium po zhvillohej një eveniment tradicional i quajtur “korraleja” ku veç toreadorëve në arenë hyjnë edhe pjesëtarë të publikut për t’u përballur me demat. Rrëzimi i tribunës, por më shumë paniku që përfshiu spektatorët pasi ranë në arenë përballë demave, solli si pasojë 4 viktima dhe mbi 300 të plagosur.

Sipas guvernatorit të Tolimas të vdekur kanë mbetur një fëmijë, dy gra dhe një burrë. Ngjarja e së dielës ishte pjesë e festimeve të festivalit popullor San Pedro.

Presidenti në largim Ivan Duque tha se do të kishte një hetim të thelluar për shkaqe e ngjarjes tragjike, ndërsa presidenti i zgjedhur Gustavo Petro u kërkoi zyrtarëve vendas të ndalonin evenimente të tilla. “U kërkoj kryetarëve të bashkive të mos lejojnë më shumë ngjarje që përfshijnë vdekjen e njerëzve ose kafshëve,” tha ai.

Nuk është hera e parë që ndodhin aksidente me humbje jetësh në garat me dema në Kolumbi. Të shtunën disa njerëz u plagosën, ndërsa në fillim të këtij muaji një person vdiq pasi u godit nga një dem gjatë një korraleja në qytetin e Repelon.

Klan News













Të ngjashme