Opinion– Shembja e Murit të Berlinit 30 vite më parë, ishte një nga evenimentet më të rëndësishme. Më 9 Nëntor të 1989 ndodhi rënia simbolike e Murit të Berlinit pasi qytetarët e Gjermanisë Lindore ishin lejuar të kalonin kufirin që i ndante me Gjermaninë Perëndimore.

Muri i Berlinit ndërtuar në vitin 1962 nuk kryente më funksionin për të cilin ishte ngritur. Muri ishte i gjatë 164 kilometra dhe ndalonte komunikimin mes Lindjes komuniste dhe Republikës Federale Gjermane. Emisioni “Opinion” i gazetarit Blendi Fevziu realizuar më 09.11 2009 trajton pikërisht këtë ngjarje.

Më 6 Nëntor të 1989 Gorbaçov, Sekretari i Parë i Partisë Komuniste në Bashkimin Sovjetik shkoi në Gjermaninë Lindore dhe hodhi idenë se ndryshimet duhej të ndodhnin shpejt. Dhe më 9 Nëntor të po atij viti shumë prej banorëve të Berlinit Lindor kaluan në Berlinin Perëndimor duke shënuar në mënyrë të papritur historinë. Ende sot mbetet mister se si ndodhi e gjithë kjo.

Ishte zëdhënësi i Gjermanisë Lindore i cili deklaroi se qytetarët e Gjermanisë Lindore mund të lejoheshin të kalonin në Berlinin Perëndimor. Mjaftoi kjo deklaratë që mijëra e mijëra qytetarë të mblidheshin dhe të kalonin në Perëndim të Gjermanisë ku u pritën krahëhapur nga gjermano-perëndimorët.

Ata i pritën në shtëpitë e tyre, iu blenë rroba, etj. Një prej qytetarëve që kaluan ishte edhe një fizikante e re e quajtur Angela Merkel. Në kujtimet e saj ajo tregon se kur do të kthehej sërish në Gjermaninë Lindore i blenë disa qese me ushqime që nuk gjendeshin aty ku ajo jetonte.

Gjermania humbi luftën, bombat e shkatërruan duke e kthyer në një gërmadhë rrënojash dhe vdekjeje. Porta e Brandenburg ku lulëzonte jeta ishte monumenti që ngrihej mbi rrënojat e qytetit. Në konferencën e Potsdamit më 1945 SHBA, Rusia dhe Anglia morën vendimin për ndarjen e territorit të Gjermanisë.

Gjermania Lindore nis qeverisjen me një grusht të hekurt. Më 1953 punëtorët e qytetit nisin protestën kundër administratës, revoltë e cila u shtyp në mënyrë brutale. Më 1969 vendi humbte rreth 10 mijë qytetarë në muaj. 13 Gushti i 1961 shënoi edhe fundin e mërgimit të pandalshëm. Për të penguar arratisjen drejt perëndimit, qeveria e Berlinit Lindor i drejtohet të paimagjinueshmes, ndërtoi një mur aq të lartë sa mund të  mbyste çdo shpresë arratisje.

Ata që guxonin të kalonin rrezikonin jetën. Ditët përpara shembjes së Murit të Berlinit protestat u bënë të pamenaxhueshme me thirrjet “Ne jemi populli”. 9 Nëntori i 1989 dukej një ditë si gjithë të tjerat. Gjithçka nis pas edicionit të lajmeve të orës 20:00 të asaj nate. Gorbaçov, Sekretari i Parë i Partisë Komuniste në Bashkimin Sovjetik deklaroi se qytetarët e Gjermanisë Lindore mund të kalonin murin pa asnjë ndalesë. Kështu ajo që kishte nisur si një ditë e zakonshme, u bë një ditë e paharruar. Euforia pushtoi Berlinin. Muri, simboli absurd i Gjermanisë Lindore u bë i padobishëm. Ëndrra u bë realitet.

Gorbaçov iu dhuroi atyre natën më ekzaltuese të jetës së tyre. Më 11 Nëntor mijëra njerëz qëndronin në të ftohtë për të parë shembjen e pllakës së parë të arkitekturës monstruoze të Luftës së Ftohtë. Muri që pengonte arratisjet, më në fund u shemb.

tvklan.al