Tërmeti katastrofik i 26 Nëntorit la pasoja të rënda në vendin tonë. Viktima, të plagosur dhe shumë familje në qiell të hapur, si pasojë e shembjeve të banesave. Me qindra të tilla janë dëmtuar edhe në Bubq të Krujës.

Tvklan.al ishte sot atje për të parë situatën nga afër. Në një transmetim livestream në rrjetet sociale, teksa tregohej historia e dhimbshme e Musa Dacit, gazetari Spartak Koka pati një bashkëbisedim me Bes Kallakun, të cilin banorët e quajnë “birin e zonës”.

Kallaku tregoi problematikat e zonës dhe se mendohet se janë të paktën 200-300 shtëpi të pabanueshme.

“Duke qenë se në këtë kodër jam rritur, kryesisht gjithë familjet, janë mbi 200-300 shtëpi që tani kanë dalë të pabanueshme në të gjithë komunën e Bubqit. Edhe pjesa tjetër e personave që janë këtu, janë po prapë me të njëjtat probleme të cilët ka edhe persona që ju është rrënuar totalisht shtëpia. Jemi munduar që të paktën nëpërmjet postimeve dhe thirrjeve nëpërmjet rrjeteve sociale që të angazhohemi dhe t’i gjendemi në ndihmë. Sëbashku me Aulon Kalanë kemi bërë një qendër tonën këtu që të gjithë ndihmat që vijnë, i shpërndajmë në familjet që kanë nevojë. Këtu ka pasur nevojë shumë të madhe për çadra sepse shumica janë jashtë. Janë shpërndarë disa çadra, në disa vende nuk ka qenë cilësia e mirë sepse ka futur ujë. Kanë qenë çadra verore. Janë shpërndarë çadra nëpër familje. Çadrat kanë ardhur në komunë dhe disa nga banorët kanë marrë, por ka edhe një pjesë që nuk janë mbuluar. Edhe banorët vetë ajo që kërkojnë është që të pajisen me çadra. Këtu ka një problem, nuk mund të marrësh një çadër dhe të futësh 4-5 familje sepse mund të rrinë një natë, por jo një muaj”, tha Bes Kallaku.

I prekur nga kjo situatë, aktori i njohur i humorit tregoi se do të hapë një numër llogarie vetëm për donacione për Bubqin.

I pari që do të dhurojë para do të jetë vetë ai, sëbashku me bashkëshorten Xhensila Myrtezaj. Gjithashtu, të gjitha fitimet e filmit më të fundit të tij “Falco” do të jenë për këtë kauzë.

Besi kërkoi edhe mbështetjen e biznesmenëve dhe dashamirësve sepse nuk mund të pritet gjatë që këta persona të qëndrojnë në qiell të hapur.

“Unë nga sot do të hap një numër llogarie për fshatin Bubq, ku çdo e ardhur që do futet dhe do jetë pjesë e kësaj llogarie do të shpërndahet për banorët e fshatit. Dashtë Zotit na gjenden afër miq, shokë, dashamirës dhe ata që janë biznesmenë që janë jashtë sepse me gjithë respektin dhe mundin që po bëhet kam përshtypjen se është një numër i madh dhe derisa të vijë radha e Bubqit këta të shkretët që janë jashtë do vazhdojnë të jenë jashtë në qiell të hapur. Do përpiqem që t’i ndihmoj si bir i këtij vendi me aq sa kam mundësi. Të parët që do bëjmë donacionin  kryesor jam unë me Xhensilën që do bëjmë një donacion prej 5 milion lekësh të vjetra dhe të gjitha fitimet e biletave nga filmi Falco që do jenë për të gjithë javën do futen atje”, u shpreh Bes Kallaku.

Si djalë i rritur në këtë zonë, Kallaku është shumë i afruar me banorët. Teksa Musa Daci tregonte historinë e tij të dhimbshme se si kishte humbur për një periudhë të shkurtër nënën, babain, djalin dhe vajzën, aktori nuk mundi t’i mbante dot emocionet.

I përlotur ai tregoi edhe amanetin e djalit të Musait, i cili kishte një dëshirë, që pasi të kthehej nga Italia, t’i bënte shtëpinë prindërve. Një dëshirë, e cila nuk do të realizohej dot dhe tashmë Musait i duhet të përballojë edhe fatkeqësinë e tërmetit.

Bes Kallaku: Musai këtë ka problem se nuk është vetëm brenga e shtëpisë, por djali dhe vajza të dy i kanë ndërruar jetë dhe Musai jeton vetëm me bashkëshorten dhe nipin e mbesën që janë fëmijët e vajzës.

Musa Daci: Mirë që nuk jetojnë, por edhe unë që jam gjallë…

Bes Kallaku: Djali i Musait, kushëriri jonë, përpara se të ndërronte jetë, një muaj para kemi qenë bashkë. Në moment që shkoi në Itali ra në koma. Gjëja që më pat thënë ishte “kur të vij herën tjetër do t’i bëj shtëpinë mamit e babit”. Nuk arriti dot. /tvklan.al