Kryeministri Edi Rama përmes një postimi në Twitter është shprehur se ka biseduar me partnerët ndërkombëtarë rreth çështjes së prishjes së Teatrit Kombëtar.

Rama thotë se bisedat me ta kanë qenë të mira dhe u ka përmbysur me fakte shpifjet për shembjen e godinës së teatrit.

Biseda të mira sot me miq ndërkombëtarë jashtë vendit, për të përmbysur me fakte kështjellën e baltës së eksportuar nga prodhuesit e shpifjeve për godinën e shembur dhe ngjarjet rrotull saj! Gënjeshtra vrapon më shpejt se e vërteta, po këmbët e shkurtra e lënë në mes të rrugës”, shkruan Rama.

Ndër të tjera ai thotë se bisedoi edhe me përfaqësuesit ndërkombëtarë në Tiranë ku është rënë dakord për të adresuar menjëherë domosdoshmërinë për finalizimin e Reformës Zgjedhore.

“Biseda të mira edhe me miqtë ndërkombëtarë në Tiranë dhe dakordësi e plotë për të parë përpara të gjitha bashkë, duke adresuar menjëherë domosdoshmërinë e finalizimit të reformës zgjedhore, me të gjithë gatishmërinë tonë për përmbushjen e rekomandimeve të OSBE/ODHIR-it”, thotë Rama./

Kujtojmë që Rama më herët u takua me ambasadoren amerikane në Tiranë Yuri Kim.

Zyra e shtypit të ambasadës bëri të ditur se Kim dhe Rama diskutuan për çështjet aktuale politike siç është prishja e teatrit dhe domosdoshmëria e finalizmit të Reformës Zgjedhore. tvklan.al