Policia e Shtetit ka reaguar pas përplasjeve me aktivistët të cilët kundërshtojnë shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar.

Në një deklaratë për mediat, Policia e Shtetit thotë se janë shoqëruar 37 persona të cilët kundërshtuan apo tentuan të pengonin autoritetet për zbatimin e prishjes së ndërtesës së teatrit.

Nga ana tjetër, Policia e Shtetit thotë se qytetarët duhet të shmangin grumbullimet, pasi janë të ndaluara tubimet bazuar në aktin normativ në kuadër të masave kundër koronavirusit.

Reagimi i Policisë së Shtetit:

Me kërkesë nga Inspektoriati i Mbrojtjes se Territorit i Bashkisë Tiranë, forca të Policisë së Shtetit janë në mbështetje të aksionit të nisur që në orët e para të mëngjesit të sotëm për zbatimin e vendimit të Këshillit Bashkiak të Tiranës, për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar, për t’i hapur rrugë projektit të ri për rindërtimin e tij.

Gjatë aksionit në terren janë shoqëruar 37 persona, të cilët kundërshtuan me forcë apo tentuan të pengonin autoritetet në zbatimin e vendimit.

Policia e Shtetit po vijon veprimet procedurale, në bashkëpunim me Prokurorinë.

Duke përfituar nga ky komunikim, Policia e Shtetit kujton qytetarët dhe drejtuesit politike, se tubimet apo grumbullimet janë në shkelje të Aktit Normativ për parandalimin e pandemisë COVID-19.

Mosrespektimi i distancës sociale rrezikon gjithë përpjekjen disajavore të gjithë qytetarëve, të cilët kanë respektuar me rigorozitet udhëzimet.

Gjithashtu apelojmë fort për këdo që të shmangë përplasjen me forcat e Rendit që janë në krye të detyrës.

Në spitalin e traumës një punonjës policie është duke marrë ndihmë mjekësore, pasi është goditur me sende të forta nga tubuesit. /tvklan.al