Sebastian Vetel ka dhënë shembullin e mirë në përfundim të Çmimit të Madh të Britanisë, duke pastruar mbeturinat e lëna nga spektatorët në pistën e Silverstonit. Numri i shikuesve për garën e dhjetë të Formula 1 të dielën ishte 140 mijë. Dhe rrëmuja që ata lanë pas garës ishte e madhe.
Vetel nuk u paraqit mirë në garë dhe u detyrua të tërhiqej pas 40 xhirove, por ai i ka bërë tifozët e tij dhe skuderinë “Aston Martin” krenarë më veprimin e bërë.
Katër herë kampioni i botës në Formula 1 është një ndër pilotët më përkrahës i politikave ambientaliste. Madje ai para garës mbante veshur një bluzë ku shkruhej “Mbani pastër ambientin”
Në përfundim, gjermani u pa duke mbajtur doreza e duke mbledhur shishet, kanaçet dhe plehrat e tjera të hedhura në tokë. Në faqen zyrtare të Formula 1 u shpërnda videoja, ku piloti gjerman po mblidhte mbeturinat, që u vlerësua nga shumë fansa. Edhe skuderia e Aston Martin e vlerësoi pilotin 34 vjeçar për përkushtimin e tij për një ambient më të pastër.
Klan News