Rreth 400 milionë qytetarët e 26 shteteve evropiane, të cilat përbëjnë hapësirën e Shengenit, deri tani kanë pasur mundësinë t’i kalojnë kufijtë pa u kontrolluar në këtë hapësirë. Por për shkak të krizës së refugjatëve, shumë shtete kanë futur sërish kontrolle në kufi: Gjermania i futi ato në nëntor, dhe tani për tani ato do të zgjasin deri në mes të majit.

Që këto kontrolle shkaktojnë dëme ekonomike, kjo është e padiskutueshme. Bllokimet e trafikut në kufi çojnë në vonesa në transportin e mallrave, firmat duhet të kenë magazina më të mëdha për t’i mbajtur mallrat, udhëtarëve vajtje-ardhje u duhet më shumë kohë për në punë dhe turistët frikësohen, sepse ekskursionet njëditore në një vend tjetër ndoshta mund të mos ia vlejnë.

Por vlerësimet për shkallën e dëmit janë shumë të ndryshme: herë bëhet fjalë për dhjetë miliardë euro, herë për 235 miliardë.Para takimit të nivelit të lartë BE- Turqi, të premten (04.03.) Komisioni i BE paralajmëroi për “shpenzime të konsiderueshme ekonomike”, në nivelin midis pesë deri 18 miliardë në vit. Ai pati parasysh në këtë parashikim transportin e mallrave, qarkullimin vajtje-ardhje për në punë dhe turizmin.

Dhoma Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë, DIHK, një organizatë ombrellë e 80 Dhomave Gjermane të Industrisë dhe të Tregtisë i ka llogaritur shumë më të larta ngarkesat prej bllokimeve të trafikut, kohës së pritjes, shtimit të burokracisë dhe shpenzimeve të magazinimit. Sipas DIHK-së, vetëm për ekonominë gjermane shpenzimet mund të ngjiten “shpejt në dhjetë miliardë euro në vit”.

Një studim i Fondacionit Bertelsmann, i paraqitur në fund të shkurtit, thotë se kostoja vetëm për ekonominë gjermane në dhjetë vitet e ardhshme do të jetë midis 77 deri 235 miliardë euro në vit. Bertelsmann beson se në plan evropian, çmimet e importeve do të rriten rreth tre përqind.

Edhe France Stratégie, një institut francez nën kryeministrin e Francës, beson gjithashtu se çmimet e importeve do të rriten rreth tre përqind. Në plan afatgjatë, tregtia midis vendeve të hapësirës së Shengenit do të pakësohet sipas këtij instituti me më shumë se dhjetë përqind. Kapaciteti ekonomik i BE do të binte me 0,8 përqind, që është e barabartë me 110 miliardë euro.

Studimet e ndryshme është e vështirë të krahasohen me njëra-tjetrën, për shkak të elementëve të ndryshme në bazë të përllogaritjeve. Por përmbledhtazi mund të thuhet se asgjë nuk dihet me saktësi.

Mbase për këtë shkak, studimi i France Stratégie përfundon me paralajmërimin e përgjithshëm, se kontrollet në kufi paraqesin një “rrezik për të ardhmen e projektit evropian”. Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker u shpreh më qartë: “Ai që vret Shengenin, do të çojë në fund në varr të gjithë tregun e brendshëm,  raporton Deutche Wellen.

Tv Klan