Veliaj: Infrastruktura po sjell ekonomi dhe rigjallërimin e zonave rurale

Bashkia e Tiranës ka përfunduar ndërtimin e rrugës së re që lidh fshatin Shëngjin me fshatin Shën Mëri në njësinë administrative Shëngjergj. Kjo rrugë u vjen në ndihmë jo vetëm një mijë banorëve të zonës, por sipas kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, hap edhe një perspektivë te re zhvillimi ekonomik të këtyre fshatrave.

“Nëse shikon cilësinë se si është punuar këtu, nuk dallon fare nga punët që bëhen në qytet. Kjo është provë e standardit të barabartë. Edhe rruga e re e Krrabës solli jetë. Rruga sjell mundësi dhe unë besoj se do të rikthejë jo vetëm njerëzit që i kanë rrënjët e tyre në fshat, por jam i sigurt se do të sjellë njerëz nga qyteti që, ose duan të dalin në pension këtu, ose të hapin një agroturizëm, ose të investojnë në tokat e fshatit. Kur bëmë rrugën e re të Qehasë, atëherë nuk kalonte njeri, ndërkohë sapo mbaroi rruga, metri katror shkoi nga 10-15 mijë lek në 100-120 euro”.

Në planet e Bashkisë së Tiranës është dhe rigjallërimi i jetës në fshatra, me aktivitete të shumta social-kulturore, që sjellin më shumë ekonomi.

“Befas rruga kthehet në një mundësi të shumëfishtë, që krijon ekonomi për fshatin. Na duhet të kapim kohën e humbur. Kemi pasur 30 vite letargji, njerëzit kanë ikur dhe ekonomia rurale është reduktuar, kështu që tani na duhet ta shtojmë. Një nga planet tona është të sjellim jetë në këto komunitete. Pra, fillimisht rrugë dhe infrastrukturë, pastaj siç kemi bërë “Festën e Domates”, “Festën e Vreshtit” apo “Festën e Vajit”, e kështu do të gjejmë edhe për fshatin Shën Mëri një arsye që të kthejmë njerëzit këtu”.

Fshatrat e Tiranës, ShënGjergji, Shën Mëria dhe Shëngjini janë lidhur me infrastrukturë, e cila mundëson që të kthehen në destinacione për fundjavën.

Klan News