Historia e çiftit të të moshuarve Cika që kanë ngritur agroturizëm

“Vetëm 38 kilometra larg Tiranës, edhe Shëngjergji vuan zbrazjen e fshatit, pasi më shumë se 70% e popullsisë ka emigruar.”

Fshati Shëngjergj, pjesë e bashkisë së Tiranës, është kthyer në një zonë të rëndësishme turistike. Pavarësisht zbrazjes së fshatit, disa banorë të zonës, janë kthyer sërish në tokat e tyre për të zhvilluar agroturizme apo bujtina. Kështu ka vepruar edhe Lumturi dhe Ndriçim Cika, të cilët lanë Tiranën dhe u kthyen në Shëngjin për të ngritur një bujtinë, edhe pse në moshë pensioni. Bujtina e tyre e vogël frekuentohen kryesisht gjatë fundjavave.

Lumturi Cika (Bujtina “Ballkon Turi”): Si biznes e kemi vetëm me prenotime, kemi kohë. Vetëm këtë linjë ndjekim. Ajo klientelë që kemi krijuar, ajo na vjen. Mund të presim dhe të tjerë, por në përgjithësi ajo. Kurse për fundjavë të Shtunë, të Dielë edhe përgatitemi pak. Por nuk mbajmë shumë, s’kemi dhe kamarierë, jemi në pension tani të dy kështu që nuk e përballojmë dot. Të gjitha produktet i kemi të zonës, pjesën më të madhe i bëjmë vetë. Po bëhet mbi 4,5 vjet me këtë biznes. Jemi shumë të kënaqur me punën tonë.

Lumturia, ka pasion dhe duar të arta për të bërë glikotë kjo dhe për shkak të origjinës së saj përmetare.

“Zakonisht pëlqejnë këto lëngjet, sidomos lëngu i trëndafilit, të thanës, të qershisë. Edhe këto glikotë, e arrës njëherë. Kanë çik zor për t’u bërë, duhet gjetur periudha kur mblidhet kanë dhe një procedurë 20 ditë, duhet t’u ndërrohet uji”, u shpreh Lumturia.

Nga ana jetër bashkëshorti i saj Ndriçimi ka pasion rakinë.

Ndriçim Cika (Bujtina “Ballkon Turi”): Kjo është raki kumbulle, e mbajtur 6 vjet në dru lisi, prandaj lëshon dhe ngjyrën. Ndërsa kjo këtu është raki 3 vjeçare me rrush vendi, jo rrush me erë. Rrush autokton! Ndërsa kjo këtu është raki rrushi me shafran. Shafranin e kemi grumbulluar në pyll, nëpër livadhe.

Dy fëmijët e tyre janë në emigrim, prej shumë vitesh. Por ndihma që u japin është administrimi faqeve në booking dhe AirBNB. Dhe sipas tyre prenotimet për këtë vit janë shumë të kënaqshme.

Lumturi Cika (Bujtina “Ballkon Turi”): Kemi rezervime, na kanë filluar Majin dhe Qershorin pothuajse 4 javë i kemi të zëna, fundjavat. Deri tani i kemi të huaj, më shumë nga Gjermania, Hollanda, Spanja. Italia patëm verës shumë. Është e vështirë se nuk kemi fuqi punëtorë, se po të kemi një kamarier, apo një zonjë që ta mbaj unë…

Mes të rinjve të kthyer në Shëngjergj është edhe Besmir Disha, i cili vendosi të investojë në vendin e tij, pas gati një dekade emigrimi në Itali, ku punonte si kuzhinier.

Besmir Disha (Agroturizëm “Vila Disha”): Vendosa në një moment hajt ta provoj edhe njëherë Shqipërinë sepse po ecte me hapa të mirë dhe thashë ta provoj. U ktheva, hapa agroturizmin. Mirë, jo keq. Jemi në vitin e 6-të, kjo ka qenë shtëpia e vjetër e ndërtuar nga gjyshi im, ku bëri dhe dyqanin e parë në zonën e Shëngjergjit. Ka interes, fundjava është kryesisht e mbushur me kryeqytetas. Të huaj ka shumë, por më të interesuar janë ata që vijnë për të bërë hiking që vijnë në pranverë e deri në fund të vjeshtës. Janë gjithmonë të pranishëm.

Sipas tij ushqimet tradicionale janë pika kryesore e kësaj zone.

Besmir Disha (Agroturizëm “Vila Disha”): Ne 50% të prodhimeve i mbjellim vetë, pastaj pjesën tjetër e marrim te fermerët. Për mishin e këto e marrim tek banorët e zonës. Fillimisht u munduam të bëjmë një miks te kuzhina, por nuk e preferuan. U kthyem te kuzhina tradicionale.

Shqetësimet dhe hallet e tyre janë të përbashkëta, mungesa e fuqisë punëtore, insfrastruktura e dobët, pasi veç rrugës kryesore të Shëngjergjit nuk është bërë investim tjetër.

Besmir Disha (Agroturizëm “Vila Disha”): Duhet të ketë më shumë ndihma besoj sepse ne jemi detyruar t’i bëjmë të gjitha vetë, që tek uji, rruga, dritat. pavarësisht se flasin që ndihmojnë bujtinat, po deri më sot nuk na ka ndihmuar njeri. Edhe rrugën do mundohemi ta bëjmë vetë me shpenzimet tona. Energjia, shpeshherë ka ndërprerje dhe normalisht s’është gjë e mirë.

Lumturi Cika (Bujtina “Ballkon Turi”): Problem është që s’na bëhet legalizimi, jemi në tokën tonë. Kemi bërë aplikimin dhe nuk na del, kemi që në 2014-ën.

Fshatrat Shëngjergj, Shëngjin por edhe Shën Mëri, janë zona të cilat ofrojnë bukuri të shumta natyrore dhe ujore. Kryeqytetasit gjatë fundjavave i kanë si mundësi zgjedhjeje për t’u larguar dhe nga smogu i Tiranës.

Klan News