E furnizuar me ujë nga mali me gropa, duke formuar një nga degët e lumit Erzen, Ujëvara e Shengjergjit po tërheq gjithnjë e më shumë turistë vendas dhe të huaj.

“Unë jam nga Finlanda. Është hera e katërt që jam në Shqipëri. Është hera e parë që vizitoj Shëngjergjin. Është një fshat shumë i bukur, së bashku me familjen kam qëndruar për rreth dy orë. Fëmijët e mi luajtën afër lumit dhe sigurisht që do të vijmë sërish, pasi po qëndrojmë në Tiranë për disa ditë dhe këtu është një klimë shumë e mirë dhe nuk është aq nxehtë sa në Tiranë”.

Vetëm 36 km nga Tirana apo rreth 1 orë me makinë nga kryeqyteti, kjo pasuri natyrore ndodhet pak kilometra pa mbërritur në qendër të fshatit me terrenet kodrinore dhe malore të krahinës së Tomadhesë.

Pa mbërritur në Shëngjergj, tabela informuese tregon për ujëvarën, një nga bukuritë e rralla të kësaj zone. Por për të mbërritur deri këtu duhen rreth 20 minuta duke kaluar përmes një shtegu i cili ka vetëm disa shenja që të tregojnë për të mbërritur në këtë bukuri të rrallë.

Ajo ka një lartësi rreth 30 metra të dukshme dhe gjarpëron përmes hinkave në formë spirale në lartësi më pak të dukshme për syrin e vizitorit.

“Shëngjergji ka qenë si parajsa që ka qenë pas Tiranës, më shumë duhet të promovohohet por duke mbetur tek natyralja”.

Sapo kalon qendrën e Shëngjergjit, rruga me gurë dhe e pa rikostruktuar të ngjitet drejt një tjetër bukurie natyrore të këtij fshati. Për të shkuar drejt ballkonit të Shëngjergjit, me makinë apo në këmbë, rruga paraqet vështirësi për të lëvizur.

“Të punojmë të hamë, vetëm rrugë duam ne”.

“Po rruga kështu ka qenë dhe kështu do mbetet. Unë merrem me bujqësi, por ç’e do prodhimet kalben aty pasi nuk ka treg, nuk vjen njeri për t’i marrë se rruga është e keqe dhe kërkon kohë”.

“Rruga duhet bërë”.

“Jemi në majë të fshatit Shëngjergj, apo siç quhet ndryshe ballkoni i Shëngjergjit. Pikërisht prapa meje janë edhe rrënojat e shkollës së parë shqipe në qarkun e Tiranës. Ato datojnë prej 1913-s”.

Njësia administrative e Shëngjergjit ka aplikuar me disa projekte per zhvillimin e turizmit.

“Qëllimi ynë kryesor është që Shëngjergji të kthehet në një zonë të zhvilluar për agroturizmin, ka nevojë për infrastrukturë, për përmirësimin e cilësisë së ujit, riparimi i shkollës që të jetë në nivelet e larta, dhe një tjetër qëllim është nxitja e fermerëve dhe banorëve për të zhvilluar turizmin malor, prandaj duhet një treg grumbullimi, rikonstruksioni i rrugës, marketimi i shtigjeve, sinjalistika rrugore”,

thotë Shpëtim Sina, administrator i Shëngjergjit.

Fshati Shëngjergj, i cili ka rreth 3 mijë banorë, është përzgjedhur si pjesë e programit të qeverisë për 100 fshatrat që do i nënshtrohen rehabilitimit të plotë. Programi do të përfshijë investime kryesisht në agroturizëm dhe infrastrukturën rrugore, me qëllim që këto bukuri natyrore të jenë më lehtësisht të arritshme.

Tv Klan