4 persona janë shpëtuar nga forcat e Policisë Kufitare në Shëngjin. Mësohet se një prej tyre ishte shtetas austriakë ndërsa 3 të tjerat kishin ardhur nga Kosova.

Austriaku po bënte sërf në plazhin “Vain” ku rrezikoi të mbytej prej erës shumë të fortë, ndërsa 3 shqiptaret nga Kosova po lundronin me pedalin para se të kërkonin ndihmë.

“Shëngjin, Lezhë/Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare iu shkuan në ndihmë, në dy raste, 4 shtetasve që rrezikuan të mbyteshin në det. Në rastin e parë u shpëtua një shtetas austriak, ndërsa në rastin e dytë u shpëtuan 3 shtetase nga Kosova, që rrezikonin të mbyteshin në det. Policia Kufitare e Shëngjinit dhe Njësia Policore Detare janë njoftuar se një shtetas austriak, duke ushtruar sërf, në hapësirën detare të plazhit “Vain”, ishte spostuar në thellësi nga era dhe kërkonte ndihmë pasi rrezikonte të mbytej për shkak të erës së fortë. Njëkohësisht, Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare janë njoftuar se në Shëngjin, tre shtetase kosovare, duke lundruar me pedalon, i kishte shtyrë era në thellësi dhe për shkak të erës dhe dallgëve rezikonin të mbyteshin. Shërbimet e Policisë Kufitare janë nisur menjëherë, me mjetet lundruese, në drejtim të dy adresave ku kërkohej ndihmë dhe pas ndërhyrjes kanë bërë të mundur marrjen në bord të shtetasit austriak, ndërsa patrulla tjetër e Policisë Kufitare bëri të mundur gjetjen dhe nxjerrjen në breg të detit në gjendje të mirë shëndetësore, të tre shtetaseve kosovare.

Turisti austriak dhe tre shtetaset kosovare, kanë falënderuar Policinë Kufitare për reagimin në kohë duke u shpëtuar jetën”, thotë policia përmes njoftimit zyrtar./tvklan.al