Në 90 sekondëshin e fjalimeve në studion e “Rudina” në Tv Klan, Nexhi Beqiri vendosi që mes emocionesh të tregonte një histori të saj.
Ditët e errëta të para viteve ’90 e më pas ndryshimet në sistemin politik të Shqipërisë, transformimin e të gjitha sferave të shoqërisë, dhe shpalljen e të shoqit si të dënuar politik, çdo përjetim të çdo dite Nexhi Beqiri e shkruante në ditarin e saj. Një ditar, një det që përplaste nëpër faqe dallgët e trazuara të një shpirti të vuajtur.
“Puna na ka bërë që të lëvizim në disa rrethe të Shqipërisë, natyrisht në vitin ’90 ishte një transformim i kushteve ekonomike dhe sociale, kemi kaluar në demokracinë e cila natyrisht kërkonte angazhime të tjera apo detyrime të tjera. Unë në vitin ’91 kam filluar të mbaj një ditar, sepse burri ishte i ngarkuar në problemet politike, kisha një fletore të madhe deh sa herë që ndjeja se duhet të shkruaja diçka i shkruaja ato. Ndoshta nuk shkruaja përditë, dhe ishin goxha faqe. Kur ika në Shkurt të vitit 1997 në Belgjikë bashkë me fëmijët, e kisha lënë në raftin e atyre bufeve që kishim ne atëherë me një çelës, duke menduar që kushdo që të merrte plaçkat e shtëpisë sime, sepse unë kisha vendosur që të emigroja për arsye politike. Burri ishte shpallur i dënuar politik, kështu që unë atë e kisha mbyllur në një sirtar duke menduar që kushdo që do të merrte plaçkat e mia, ose nga njerëzit ose nga të burrit do të ruanin atë. Por, faktikisht ndenja 8 vjet erdha në Shqipëri dhe atë ditar nuk e gjeta asnjëherë dhe unë në mendjen time e kisha menduar se ka humbur.”
Ditarin bashkë me përjetimet e saj, Nexhi Beqiri e la në shtëpinë e saj, në atë shtëpi ku muret e së cilës kishin dëgjuar gjithçka e mbanin mend çdo gjë. Por, zemra e saj u thye kur pa se në sirtarin ku e kishte fshehur ditarin qysh kur ishte larguar nga Shqipëria nuk e gjeti më. E kishte menduar të humbur dhe kishte humbur çdo shpresë. Por, ajo nuk e dinte që gjatë një mbrëmjeje të bukur Gushti, 30 vite më vonë, ku të gjithë ishin të mbledhur rreth tryezës familjare, bashkëshorti i saj do i sillte para syve një libër të titulluar “Dallgët e trazuara të shpirtit”. Nuk ishte vetëm një libër, ishte ditari i saj, tashmë i botuar.
“Në Gusht të këtij viti, kishin ardhur dhe fëmijët nga jashtë, nipër e mbesa do të shkonin në kanionet e Osumit në Përmet kështu që darkën që po bënim, burri shkon në makina merr librin dhe thotë “shiko për të gjithë atë ditarin tënd që t’i e ke menduar të humbur”. Pra mbas 3-vjetësh burri kishte marrë ditarin tim, e kishte botuar këtë libër i cili shpreh të gjitha ato shqetësime, pikërisht ato dallgë të shpirtit tim të viteve 1991-1994. Fëmijët, sepse nuk i kishin parë këto, kanë filluar të qajnë, nuk kanë pritur që të futeshin në dhome dhe ta lexonin, e kanë lexuar duke ngrënë. Ishin pikërisht ato kujtime të viteve 10-12 vjeç. Këtë libër nuk e kam botuar për ta nxjerrë në seri për ta shitur, e kam bërë për fëmijët e mi, nipër, mbesa për vëllezërit e mi, krushqitë tona dhe të jetë një libër që do të jetë në historikun e familjes sonë. Jam shumë krenare dhe falenderoj shumë burrin tim që arriti ta botojë,” u shpreh Nexhi Beqiri./tvklan.al