Presidenti Armand Duka vlerëson kuqezinjtë: Ka ikur koha e humbjeve të thella

Humbjet janë gjithmonë të dhimbshme, por kur ato vijnë pas një loje të mirë, gjithçka kalon në plan të dytë. Disfata 1-0 ndaj Polonisë dha sinjale të mira për kombëtaren shqiptare. Sylvinho u duk se kishte implementuar siç duhet idetë e tij, me presidentin e FSHF, Armand Duka që e vlerësoi performancën e kuqezinjve.

“Për lojën e zhvilluar dhe atë që dhamë në fushën e lojës duhet të kishim marrë diҫka më shumë por kjo nuk ndodhi. Duhet të rritemi, të punojmë më shumë dhe të jemi më me këmbë në tokë. Duhet ta kuptojmë të gjithë, ne, ekipi e stafi drejtues që kemi humbur në Varshavë. Sigurisht që është detyrë e stafit teknik të analizoj në mënyrën më të mirë këtë ndeshje të parë eliminatore dhe të nxjerrë konkluzionet e duhura se ҫfarë shkoi mirë dhe se ku do duhet të fokusohemi për tu përmirësuar dhe parë atë skuadër që të gjithë ne duam. Për të fituar një ndeshje dhe për të arritur objektivat e rëndësishëm duhet ta ҫosh topin në rrjetë.”

Pavarësisht humbjes, kuqezinjtë nuk do e harrojnë objektivin kualifikim, me presidentin Duka që paralajmëron kombëtaren për 7 sfidat e radhës.

“Ne jemi totalisht në lojë dhe objektivi jonë mbetet i pandryshuar: kualifikimi. Kemi përpara 7 finale. Janë shtatë ndeshje ku ne duhet të jemi perfekt në ҫdo aspekt dhe të arrijmë të marrim maksimumin në ҫdo ndeshje. Nuk lejohen hapat fals. Duhet të luftojmë për ҫdo pikë. Kjo është ajo që duhet të bëjmë dhe padiskutim që objektivi jonë do të jetë realizuar.”

Kombëtarja shqiptare do tentojë që të rikthehet tek pikët e plota në takimin e radhës, atë të 17 qershorit në “Air Albania” kundër Moldavisë.

Klan News