Nga hetimet e deritanishme të policisë dhe Prokurorisë, rezulton që ekzekutori i Behar Sofisë, Ernejt Shyti, të jetë njoftuar nga Leonard Xhixha 30 vjeç që shënjestra doli nga banesa.

Kështu ka deklaruar gazetari Eni Ferhati i ftuar në studion e emisionit Uniko nga Spartak Koka në Klan Plus. Sipas tij, Leonard Xhixha ka qenë në zonën ku u vra Behar Sofia pranë ETC-së ditën e ngjarjes, megjithëse nuk është kapur nga kamerat e sigurisë. Por është vendndodhja e tij aty është zbuluar nga qelizat e celularit të tij.

Eni Ferhati: Policia, në dijeninë time, ka arritur që të identifikojë shtetasin Leonard Xhixha si personin që në këtë orë ditën e ngjarjes ka qenë në këtë zonë, ndonëse nuk është kapur nga kamerat e sigurisë, rezulton që të jetë personi i cili ka njoftuar edhe Ernejt Shytin që doli. Dhe mesa duket 24-vjeçari ka dashur që të ketë një kontakt sa më të afërt me shënjestrën e tij për të bërë dhe identifikimin e viktimës.

Spartak Koka: Përse çalon?

Eni Ferhati: Kjo ka qenë një maskim do të thoja nga ana e vrasësit me pagesë për t’iu shmangur identifikimit. Vijon të çalojë gjatë gjithë kohës dhe mesa duket ka qenë një manovër e tij pasi gjatë mbikëqyrjes së vendit të ngjarjes, autorët dhe personat e tjerë kanë kuptuar që zona është e monitoruar nga kamera dhe kanë dashur që …

Spartak Koka: Diku këtu rreth e rrotull mund të ketë qenë Leonard Xhixha që ka monitoruar daljen e Behar Sofisë.

Eni Ferhati: Këto janë vetëm pamjet që janë vënë në dispozicion, por policia mund të ketë dhe pamje të tjera të Leonard Xhixhës që e vërtetojën. Por dhe nga qelizat telefonike ka rezultuar ai ditën e ngjarjes ndodhej në atë zonë. Autori çalon jo vetëm në pjesën kur ekzekuton shënjestrën. Në fakt Behar Sofia vijon rrugën i qetë, nuk e ka vënë re fare praninë e tij.   /tvklan.al