“Të duash do të thotë të bësh gjëra të vogla me dashuri të madhe”. Në Ditën e Shenjtërimit të Nënë Terezës, Bashkia e Tiranës shtroi drekë në të gjitha qendrat e saj sociale, për njerëzit në nevojë që i frekuentojnë ato. Po ashtu, në nderim të figurës së shenjtores shqiptare, përmes një ceremonie të posaçme, kryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Toni Gogu, nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Anisa Ruseti dhe këshilltarë, vendosën kurora me lule në sheshin “Nënë Tereza” në kryeqytet.

Kurse kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj shërbeu drekën për njerëzit në nevojë në Qendrën Sociale Komunitare në Njësinë 4, e cila mban emrin e bamirëses së madhe, “Gonxhe Bojaxhiu”. Ai theksoi se mënyra më e mirë për ta kujtuar Nënë Terezën është të ndjekim mësimet e saj, për t’u shërbyer njerëzve.

Mënyra më e mirë për të kujtuar Nënë Terezën, nuk është duke dhënë leksione e duke bërë histori, por duke u sjellë si ajo. Më vjen mirë që të gjithë së bashku e kemi bërë qytetin pak më shumë solidar, siç donte Nënë Tereza. Në qoftë se ajo do të ishte gjallë, nuk do të kërkonte më shumë statuja dhe më shumë statuse në internet, por më shumë njerëz që shërbejnë një pjatë supë”, tha kryebashkiaku.

Bashkia e Tiranës ka hapur në këto 4 vite disa mensa sociale në të gjithë kryeqytetin, duke iu gjendur më pranë njerëzve në vështirësi. Ata janë shërbyer jo vetëm me një vakt të ngrohtë, por edhe me mjekë të specializuar, psikologë etj. Veliaj tha se modeli i suksesshëm i arritur në Tiranë për hapjen e mensave sociale dhe ndihmën ndaj atyre që kanë më shumë nevojë, duhet të shtrihet edhe në bashkitë e tjera të vendit.

“Ky është një rast për t’i bërë thirrje të gjithë kryebashkiakëve të rinj: Tirana ka ende cepa ku duhet të shkojë asfalti, gjelbërimi, duhet të heqim rraqe pa leje që kanë zënë hapësira publike, por ama në morinë e madhe të problemeve, ka edhe një dozë njerëzillëku. Pra, nuk është keq që një qytet tjetër, përveç Tiranës, të hapë një mensë sociale, të ketë një qendër ku ndihmohet dikush në vështirësi. Jam i lumtur që me këtë dozë njerëzillëku punon jo vetëm kjo qendër sociale, por gjithë infrastruktura jonë sociale në Tiranë”, tha Veliaj, teksa shtoi se kur ka vullnet, gjithçka mund të realizohet.

“Kur ne duam, ne mundemi. Kur ne duam, ne bëjmë; dhe kur ne duam, ne mund të bashkëpunojmë. Unë besoj se ky komunitet është realisht në frymën e Nënë Terezës. Populli që do, bën. Populli që do, bashkëpunon dhe tregon solidaritet”, tha ai.

Kryebashkiaku iu drejtua me një mesazh edhe të rinjve, duke i kërkuar atyre që të jenë më solidarë për të ndihmuar më të moshuarit apo ata që gjenden në vështirësi.

“Dua t’i bëj thirrje të gjithë djemve dhe vajzave: Kemi dy shanse në jetë, ose të kthehemi në qaramanë profesionistë dhe të ankohemi përse nuk funksionon çdo gjë perfekt, të ankohemi pse ka varfëri, sëmundje, vuajtje, ose mund të bëjmë diçka; nëse dikujt i mungon një pjatë supë, t’i japim një pjatë supë, nëse dikujt i mungon një çantë shkolle, t’i japim një çantë shkolle, nëse dikujt i mungojnë, fletoret, lapsat dhe librat, t’i japim fletoret, lapsat dhe librat. Sikur secili të bëjë minimumin e vet për të ndihmuar fqinjin e tij, kushëririn, hallexhiun te rruga, atëherë ky popull është realisht populli i Nënë Terezës”, theksoi Veliaj.

Në nderim të shenjtores shqiptare, në rrugët kryesore të kryeqytetit u vendosën banderola që përkujtojnë bamirësen e madhe. /tvklan.al