Shënohet rekord edhe me 327 raste të reja të konfirmuara

Rekord i dyfishtë i shifrave të pandemisë në numrin e viktimave dhe të prekurve në vendin tonë. Që nga fillimi i pandemisë, numri i jetëve të humbura dhe i rasteve të reja të prekura në vendin tonë nuk ka qenë asnjëherë në këto nivele.

Nëntë qytetarë shqiptarë, mes të cilëve edhe një 44-vjeçar nga Tirana, humbën jetën gjatë 24 orëve të fundit. Mosha mesatare e pacientëve nga disa qytete të vendit është rreth 60 vjeç.

Kjo e dielë e 1 Nëntorit shënoi edhe numrin më të lartë të infektimeve ditore prej nisjes së pandemisë. 327 persona rezultuan pozitivë me koronavirus nga 1472 testime të kryera në 24 orët e fundit. Vatra më e nxehtë e infeksionit mbetet Tirana me 152 raste në reja. Pas saj renditen Durrësi dhe Lezha. 

Ndërkohë, numri i personave që po trajtohen në 3 spitalet Covid vazhdon të mbetet i lartë. Nga 293 pacientë, 14 ndodhen në terapi intensive nga të cilët 5 pacientë janë të intubuar.

Numri i pacientëve të shëruar në 24 orë është 57, rreth 5-fish më i ulët krahasuar me infektimet e reja ditore. Ndërkohë në të gjithë vendin vijojnë të jenë ende 9438 vatra aktive me Covid–19.

Tv Klan