Vijon ende sfida me vatrat aktive në Veri të vendit

Zjarret që kanë nisur prej më shumë se dy javësh kanë shënuar edhe viktimën e dytë në vend. Pak ditë, ku si pasojë e flakëve humbi jetën Andrea Haxhiaj nga fshati Asim Zenel në Gjirokastër, sot ndërroi jetë më spital edhe bashkëshortja e tij.

57-vjeçarja  Tatiana Haxhiaj nuk ka mundur t’i rezistojë djegieve që kishte marrë në mbi 75% të trupit, teksa në 3 gusht së bashku me bashkëshortin e saj u munduan të shuanin flakët e zjarrit që përpinë shtëpinë e tyre.

Por teksa në Gjirokastër situata është normalizuar prej ditësh, shqetësim përbëjnë vatrat e zjarreve në majën e Rrunës dhe në Kalimash të Kukësit.

Zjarrfikësit dhe forcat e ushtrisë janë në përpjekje për të shuar flaket, por puna e tyre vështirësohet për shkak të terrenit të thepisur.

Problematike paraqitet situata edhe në Tropojë ku janë evidentuar dy vatra zjarri në fshatrat Betoshë dhe Lekbibaj. Ndërkaq, në Vlorë situata është më e stabilizuar. Pas 2 javësh beteje me flakët në Karaburun nuk ka më vatra zjarri.

Falë ndërhyrjes nga ajri e toka u bë e mundur edhe mbajtja larg rrezikut të flakëve në Parkun  Kombëtar të Llogarasë. Aktive janë disa vatra mes Llogarasë dhe Dukatit, por që nuk paraqesin rrezik për banesat apo zonat turistike.

Tv Klan