Situata e vështirë e krijuar nga zjarret në Shqipëri javën e fundit, këtë të martë ka marrë përmasa tragjike. Në Gjirokastër, atje ku është aktivizuar një vatër e rrezikshme ka ndërruar jetë një 60-vjeçar duke u bërë viktima e parë nga zjarret në vend.

Mësohet se viktima ka humbur jetën në fshatin Asim Zenel. Sipas burimeve të Klan News, viktima është Andrea Haxhiaj. Ai ka qenë duke u përpjekur që të shuajë flakët që po i afroheshin banesës së tij, por fatkeqësisht nuk ka mundur që t’u shpëtojë atyre.

Si pasojë e flakëve ka mbetur e lënduar edhe gruaja. Sipas të njëjtave burime në fshat nuk ka as energji elektrike dhe as ujë. Zjarrfikësit ndodhen në vendngjarje dhe po mundohen për shuarjen e flakëve.

Vatra e rrezikshme e zjarrit në Bashkinë e Gjirokastrës u njoftua fillimisht nga ministri Niko Peleshi, i cili ka mbërritur në vendin e ngjarjes. Ai i ka bërë thirrje banorëve të disa fshatrave që të zbatojnë urdhrin dhe të evakuohen, pasi situata është kritike si pasojë edhe e erës që favorizon flakët./tvklan.al