Shënon Kumbulla, barazon Roma

Shënon Kumbulla, barazon Roma

16:10 27/10/2020

Në “San Siro”, 6 gola për 1 pikë

Marash Kumbulla është ylli i momentit te Roma. Pasi i dha fitoren ekipit në mesjavë në Europa League me golin e tij, mbrojtësi shqiptar shënon përsëri, kësaj here në Serie A, duke ndalur në barazim 3-3 Milanin brenda në “San Siro”, pas 4 fitoreve radhazi.

Kuqezinjtë kaluan 3 herë në avantazh, por të tre herët u barazuan. Fillimisht ishte Ibahimoviç që shënoi pas pasimit të artë të Leaos, ku Kumbulla pati pjesën e vetë të fajit në mbulim. Roma gjeti barazimin në 14’ me Dzekon.

Me fillimin e pjesës së dytë, Milan kaloi në avantazh, por në 71’, Roma përfiton penallti dhe Veretout barazon 2-2. Në 79’ ka penallti për Milanin dhe Ibrahimoviç nuk fal për 3-2. Por kur u mendua se erdhi fitorja, ishte Marash Kumbulla që shënoi për Romën, duke i dhënë një pikë skuadrës së tij. Përfundoi 3-3, por trajneri i Milanit nuk e dramatizon.

“Unë shkoj në shtëpi i kënaqur me performancën e skuadrës, nuk duhet të shohim renditjen. Është e kotë ta fshehësh, në fund të lojës lojtarët nuk ishin të kënaqur. Ka keqardhje, por u përpoqëm deri në fund”.

Ndërsa trajneri i Romës, Paulo Fonseca, dha mendimin e tij edhe për arbitrat.

“Arbitrat? Unë nuk kam pse të komentoj. Të gjithë kemi ditë të këqija, gjithashtu u ndodh edhe arbitrave. Doja ta fitoja këtë ndeshje, por mbaj shënim atë që ndodhi, është një rezultat pozitiv”.

Pas ndeshjes Marash Kumbulla mori vlerësime pozitive. Në 5 kampionatet më të mëdha të Europës, ai është një nga 4 mbrojtësit e lindur pas vitit 2000, që kanë shënuar në sezonin e ri të futbollit. 20-vjeçari është vlerësuar me notën gjashtë.

“E humbet krejtësisht Ibrahimoviç në momentin e golit të parë, megjithatë në pjesën e dytë rritet dhe më pas shënon golin e dytë radhazi për Romën brenda pesë ditëve”, ishin fjalët që përshkruanin ndeshjen e mbrojtësit shqiptar.

Tv Klan



Të ngjashme