“Gjyqtarët e Durrësit i shpëtuan burgut edhe pse u shpallën fajtorë për korrupsion”

Gjyqtarët e apelit të Durrësit të akuzuar se panë ndeshjen mes Realit dhe Barcelonës me paratë e një biznesmeni i kanë shpëtuar burgut, pasi u dënuan me shërbim prove. Ky ka qenë vendimi i Gjykatës së Apelit për Petrit Çenon, Klinton Spahiun dhe Petraq Dhimitrin të akuzuar për korrupsion. Apeli i shpalli fajtorë gjyqtarët, por vendosi që t’i dënojë me 4 vite shërbim prove.

Dy vite shërbim prove është vendosur edhe për biznesmenin Namik Sadik, që dyshohet se pagoi biletat e ndeshjes për gjyqtarët. Tre gjyqtarët e Apelit të Durrësit, Kliton Spahiu, Petraq Dhimitri dhe Petrit Çeno u shpallën fajtorë nga ish-Gjykata e Krimeve të Rënda dhe u dënuan me nga 2 vjet burg secili për veprën penale të korrupsionit, ndërkohë që biznesmeni Namik Sadik, i akuzuar se u ka paguar atyre udhëtimin në Madrid, u dënua me një vit burg.

Sipas akuzës, biznesmeni durrsak Namik Sadik kishte sponsorizuar udhëtime jashtë vendit për gjyqtarët, ku Sadik ishte palë në një proces civil që po shqyrtohej nga ata. Referuar hetimeve të prokurorisë, ky udhëtim përfshinte ndjekjen e ndeshjes së futbollit midis Real Madrid dhe Barcelonës, i njohur si derbi “El Classico”.

Tv Klan