Agjentët e Shërbimit Sekret të Venezuelës kanë bastisur zyrat e liderit të opozitës Juan Guaido, teksa ky i fundit ndodhet për vizitë në Mbretërinë e Bashkuar.

Pamjet e mediave venezueliane tregojnë agjentë të maskuar dhe të armatosur të Shërbimit Sekret jashtë zyrës së Guaido në Caracas.

“Diktaturë frikacake”, ka komentuar në Twitter lideri i opozitës, i cili zhvilloi bisedime në Londër me Kryeministrin e Britanisë së Madhe, Boris Johnson.

Deputetët e opozitës thanë se agjentët i ndaluan që të hynin në zyrat e tyre. Partia opozitare akuzoi policinë për ndalimin e deputetit Ismael Leon, në një prej rrugëve të kryeqytetit.

Ndërkohë që ne jemi në udhëtim, ata rrëmbejnë deputetin Ismael Leon dhe bastistin zyrat tona. Bota na pranon dhe na mbështet. Ne jemi të vendosur për të fituar lirinë”, ka shtuar Guaido në postimin e tij në rrjetet sociale.

Juan Guaido njihet nga më shumë se 50 shtete të botës si udhëheqësi legjitim i Venezuelës, përfshirë SHBA-në dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Ndërsa Presidenti venezuelian Nicolas Maduro po mban ende pushtetin me ndihmën e ushtrisë. /tvklan.al