Ka degjeneruar në sherr e tension mbledhja e Komisionit të Medias.

Shkak u bë prania e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj në krah të Ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro, gjatë seancës dëgjimore për projektin e Teatrit Kombëtar.

Disa herë kryetarja e komisionit Albana Vokshi e ftoi Velian të dalë jashtë me argumentin se, pjesëmarrja e tij ishte e jashtëligjshme, pasi në kërkesën zyrtare drejtuar kryebashkiakut seanca dëgjimore me të ishte përcaktuar në datën 20.

“Jeni i paftuar. Unë mund t’ju nxjerr jashtë. Keni ardhur i paftuar sepse nuk doni të lini ministren të flasë”, tha Vokshi.

Praninë  në krah të Mirela Kumbaros Veliaj e argumentoi me thirrjen në 19 Qershor për të qenë në komision nga ana e kolegëve të tij socialistë, pasi një angazhim i ditës së mërkurë jashtë Shqipërisë, i’a pamundësonte qenien në seancë dëgjimore.

“Më ftove të vij, nesër merr çmim sheshi Skënderbej nuk mund të vij”, tha Veliaj.

“Dil përjashta ose të nxjerrim me zor përjashta. Garda ta nxjerrë përjashta. Gramoz Ruçi të ndërhyjë urgjentisht sepse garda është vënë në funksion të kryetarit të bashkisë. Garda nxirrni urgjent jashtë kryetarin e bashkisë”, u përgjigj Vokshi.

Mos ndërhyrja e gardës çoi në acarimin e situatës.

30 minuta tension mes palëve deri në largimin e kryebashkuat Veliaj nga komisioni. Pikërisht kur u duk se gjithçka mbaroi, replikat vijuan edhe në shkallët e kuvendit. Me largimin e opozitës kryebashkiaku i vijoi akuzat për demokratët.

“Reagimi i sotëm ishte reagim mllefi ndaj ekspertëve. Ata i kapi dëshpërimi, si tek këndi i lojërave. Është i njëjti skenar dhe i njëjti grup që thotë rrena e të pavërteta. Teatri me këtë propozim vetëm hap negociatë. Unë i kam ftuar publikisht aktorët, qoftë dhe ato që duan të bëhen drejtorë kulture. Pr/ligji nuk prish Teatrin, por hap negociatat. Nisma është fantastike për t’i dhënë Tiranës pas 100 vjetësh një teatër të ri. Kur e ke kryetarin e partisë pulë me vezë do merresh.  Unë jam negociatori më i fortë në këtë qytet. Do të jem më konservator se aktorët. Ky nuk është një ligj për prishjen teatrit. Pse duhet grevë. Ky është një pr.ligj për hapjen e negociatave”, tha Veliaj.

Kjo deklaratë u pasua nga një tjetër e kreut të grupit parlamentar, Taulant Balla, i cili shpjegoi praninë  e Veliajt në seancë dëgjimore dhe njëherazi kërkoi shkarkimin e Vokshit nga drejtuese e Komisionit të Medias.

“Ishte në respektim të rregullores…Ne jemi duke konsideruar mbi nenet dhe parashikimet e rregullores për të kërkuar shkarkimin e zonjës Vokshi. Ne kemi dhënë konsensusin tonë në kuadër të parashikimeve të frymës së rregullores për një ndarje sipas proporcionalitetit që mbajmë në parlament, ku 5 komisione i takojnë mazhorancës dhe 3 opozitës. Por drejtimi në këtë mënyrë i komisionit është i patolerueshëm”, tha Balla.

Pak minuta më vonë nuk mungoi as reagimi i Vokshit.

 “Nuk më intimidon as më impresionon as propozimi absurd i Taulant Ballës që po konsideronin shkarkimin tim. Jemi të vendosur për të ndaluar këtë akt kriminal që po e përgatit partneriteti Rama-Veliaj-Fusha. Do bëjmë kallëzim penal për gardistët dhe do i çojmë letër ambasadorëve të BE.”

Për çështjen e Teatrit Kombëtar opozita vendosi të thërrasë sërish në seanca të ndara dëgjimore në Komisionin  e Medias të hënën dhe të martën e ardhshme Ministren Kumbaro dhe kryebashkiakun Veliaj.

Tv Klan