Një sherr masiv dhe i dhunshëm ka ndodhur në KZAZ-në numër 30 tek shkolla “1 Maji” në Tiranë mbrëmjen e të hënës. Policia ka njoftuar se në konflikt janë përfshirë disa vëzhgues me numëruesit e votave. Për shkak të kësaj ngjarje janë shoqëruar në polici 8 persona. Aktualisht ka ndaluar procesi i numërimit të votave dhe  shërbimet e policisë vijojnë të kryejnë detyrën për ruajtjen e rendit dhe qetësisë.

Siç duket edhe nga pamjet, në sherr janë përfshirë disa persona të ndryshëm. Gjatë konfliktit fizik janë përdorur edhe mjete e sende të forta. Për pasojë mendohet se janë lënduar disa persona pasi brenda KZAZ-së janë të dallueshme njollat e gjakut.

Gazetarja Glidona Daci raportoi më herët se fillimisht ka pasur kontestime për fletët e votimit. Sipas informacioneve të siguruara nga ajo, më vonë brenda KZAZ-së, dyshohet se janë futur dy persona duke u hequr si komisionerë të KZAZ-së. Pas kësaj, mes tyre ka nisur sherri që ka degjeneruar në përplasje fizike.

Kandidatja e PD-së, Oriola Pampuri, tha për mediat se përfaqësuesit e saj kanë gjetur dy persona me mjet identifikimi nga KQZ-ja, por nuk njiheshin nga asnjë prej forcave politike.

“Kur futën numëruesit tanë në KZAZ gjetën dy persona me mjet identifikimi nga KQZ, të cilët nuk njiheshin as nga PS dhe as nga KQZ. Janë persona të paidentifikuar për të cilët kemi njoftuar policinë për këtë”, tha Pampuri.

Është dashur ndërhyrja e policisë që të bënte të mundur shuarjen e këtij konflikti. Menjëherë pas kësaj ngjarje në KZAZ-në 30 ka mbërritur edhe Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi./tvklan.al