Një person është arrestuar në flagrancë këtë të premte në një fshat të Kolonjës pasi kanosi me sëpatë disa punonjës policie. Këta të fundit, kishin shkuar në fshatin Taç Lart, aty ku banonte edhe 36-vjeçari B.A pasi ai po konfliktohej me një bashkëfshatarin e tij. Sipas policisë, shkak është bërë një konflikt për motive të dobëta.

“Nga një telefonatë është kërkuar ndihma e Policisë, pasi në fshatin Taç Lart, dy shtetas po konfliktoheshin me njëri-tjetrin. Menjëherë në vendngjarje shkuan shërbimet e Komisariatit të Policisë Kolonjë, ku nga verifikimet e kryera rezulton se shtetasi B.A., 36 vjeç, banues në këtë fshat, për motive të dobëta, ishte konfliktuar me bashkëfshatarin e tij shtetasin R.M., 66 vjeç, të cilit, i kishte dëmtuar me gurë xhamat e banesës dhe më pas ishte larguar me shpejtësi”, thuhet në një njoftimi të uniformave blu.

Por në momentin që policët janë drejtuar tek banesa e 36-vjeçarit, ai ka bërë rezistencë duke i kanosur për shkak të detyrës efektivët, me një sëpatë.

Policia neutralizuar autorin ndërsa më pas ushtroi kontroll në banesën e të ndaluarit dhe babait të tij. Aty policët gjetën një sasi prej 22 kilogramësh kanabis, 69 copë fishekë luftarakë, si dhe 1 sëpatë. Ndërkohë 36-vjeçari rezulton i dënuar më parë për veprën penale “Dhunë në familje”

“Shtetasi B.A., (i dënuar më parë për “Dhunë në familje”) u arrestua në kushtet e flagrancës, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve, kryer në bashkëpunim”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve dhe i municionit”, “Kanosja për shkak të detyrës”, “Shkatërrimi i pronës”, si edhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë ndaj babait të tij shtetasit F.A, për veprën “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve, kryer në bashkëpunim”. Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprime të mëtejshme”, mbyllet njoftimi i policisë. /tvklan.al