Kryeministri Edi Rama hedh poshtë çdo akuzë se me deklaratat e bëra për Bashkimin Europian sa i takon shpërndarjes së vaksinave në Ballkanin Perëndimor, të ketë krijuar konflikt mes Shqipërisë dhe BE-së. Ai thotë se BE-së nuk i kushtonte asgjë që të vendoste një sasi vaksinash për mjekët dhe infermierët e rajonit, gjë e cila sipas Ramës, do të evitonte ‘operacione sekrete për të sjellë këtu vaksinat përpara’.

“Ne jemi miq të pandarë me BE, jemi partnerë, kam respekt absolut për gjithçka e bën BE një forcë të pazëvendësueshme. Po ça do me thënë kjo, mos hap gojë për të mbrojtur njerëzit e mi? Njerëzit që përfaqësoj? Mos hap gojë për t’i sjellë sa më shpejt gjyshit e gjyshes tënde (i drejtohet gazetares) vaksinat, pse? Se mërzitet ambasada? As më ka shkuar ndërmend, pse duhet të mërzitej ambasada, nuk kishte lidhje fare. Unë kam thënë një fakt, për të ilustruar që shpejtësia e vaksinimit është në disproporcion me sasinë në dispozicion për të gjitha vendet. E çfarë i kushtonte atyre që të vendosnin një shumë vaksinash për mjekët dhe infermierët e rajoni? Çfarë u kushtonte?

“Për çfarë duhet ne të bënim operacione sekrete për të sjellë këtu vaksina, për të filluar vaksinimin, përpara se të kemi akses në instrumentet e tjerë, kur mund t’i jepeshin Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi, RMV, Serbisë, Bosnje Hercegovinës, aq mijë doza sa kanë mjekë e infermierë, nuk janë shumë. Edhe t’i jepeshin pjesë-pjesë, që të mos rrinin të shihnin në TV as gjyshi e gjyshja jote dhe as gjithë të moshuarit e Shqipërisë, as gjithë të tjerët sesi vaksinohen kundër vdekjes ata që flasin anglisht, apo frëngjisht, apo holandisht, edhe të ndiheshin si njerëz me vlerë relative në mes të Europës. Kaq e thjeshtë është dhe këtë pjesë duhet ta kuptojnë dhe ta mirëkuptojnë. Nuk ka këtu sherr me BE, nuk ka fare”.

I ashpër është kur vjen puna tek kritikat e opozitës, ndërsa thotë se sa të jetë ai në krye të qeverisë, Shqipëria jo vetëm që nuk do të futet në sherr me Bashkimin Europian, por do të jetë e mirëpërfaqësuar me të gjithë botën.

“Turp i madh atyre që kanë ndalë në mbrojtje të BE dhe mbrojnë BE nga unë, turp i madh. Ata që nuk kanë lënë fjalë vulgare të librit të gjuhës shqipe pa përdorur kundër ambasadorëve të BE. Ata që i kanë bërë ambasadorët e BE në sytë e opinionit si s’ka më keq duke shpifur për ta e duke hedhur baltë për ta, e duke shkuar deri në ekstreme që janë neveri e gjallë, ata mbrojnë BE tani? Ata që nuk kanë lënë maskarallëk pa bërë përfaqësuesit e BE këtu? Pash Zotin mos kini merak, nuk ju fus unë në sherr me BE, përkundrazi, sa të më keni mua këtu do të jeni të mirëpërfaqësuar me BE dhe me gjithë botën./tvklan.al