Të parin koment politik si zonjë e parë, Melania Trump e ka bërë kundër bashkëshortit të saj. Përmes një deklarate për shtyp, ajo ka shprehur qëndrimin e saj kundër politikave të ashpra për azilkërkuesit që po ndjek administrata e presidentit Trump.

Melania shprehet se urren të shohë fëmijë që ndahen nga familjet e tyre. Ajo shpreson t’i shohë ata të bashkuar përmes një reforme konsensuale, të arritur nga dy krahët politikë. Zonja Trump thekson se njerëzit kanë nevojë për një vend që qeveriset me zemër.

Prej muajit Prill, administrata Trump aplikon rregulla të përkohshme të ashpra kundër emigrantëve ilegalë. Të gjithë të rriturit që kapen duke kaluar në mënyrë të jashtëligjshme kufirin ngarkohen me akuza penale dhe arrestohen. Ndërsa fëmijët që kanë me vete i ndajnë prej tyre dhe i dërgojnë në qendra përkujdesjeje. Që prej hyrjes në fuqi të rregullores, mbi 2 mijë fëmijë janë ndarë nga prindërit.

Demokratët dhe organizatat humanitare i konsiderojnë çnjerëzore këto rregulla. Ndërsa Donald Trump u ka bërë thirrje demokratëve që të bashkëpunojnë me republikanët për një legjislacion të ri për emigrantët dhe të mos bllokojnë ligjet në Kongres.

Tv Klan