Debati i tensionuar në Kuvendin e Kosovës, rreth çështjes të të pagjeturve, ka çuar në një përplasje fizike mes deputetëve. Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, është përplasur me deputetët e VV-së, Hajrulla Çekun dhe Hekuran Muratin.

Kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi ka akuzuar LVV-në se duke e politizuar çështjen e ndjeshme të të pagjeturve po e shfrytëzon atë për interesa politike.

Propozuesja e interpelancës, Saranda Bogujevci derisa po fliste në foltore është përplasur me deputetin e LDK-së, Arben Gashi, pasi ky i fundit u dëgjua duke thënë se “duhet me të ardh marre”.

Bogujevci i ka reaguar ashpër Gashit duke i thënë: “Për çka me m’ardhë mu marre? Ti mos ma përmend mua familjen. Ti nuk ki të drejtë të flasësh për familjen time, rri aty ulu”.

Përplasje pati edhe mes deputetit të PDK-së, Uran Ismalilit dhe zëvendëskryeministrit Driton Selmanajt. Sipas Ismailit,  kryeministri Hoti s’ka ka guxim të flasë për të pagjeturit dhe se nuk e di çfarë do të ndodhë me këtë çështje.

Ndërsa Selmanaj i është kundërpërgjigjur duke thënë që për dallim nga PDK-ja, që sipas tij, për 10 vjet nuk ka arritur rezultate për këtë temë, nuk mund të pritet nga LDK-ja që për 5 muaj ta zgjidhë këtë çështje.

“Kaq kemi mundur të bëjmë ne për me vendos në top prioritet çështja e bisedimeve të fillojë me këtë temë dhe në këtë kontekst po punojmë çdo ditë. Diçka që nuk e keni bërë ju për 10 vjet, mos pritni që për 5 muaj ta bëjmë ne”, u shpreh ai./klankosova