Itali – Një sherr për motive banale përfundoi me plagosjen e katër personave. Mediat italiane raportojnë se shkak i sherrit ishte debati për vendin e parkimit.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 29 Gushtit në komunën Lanovio të Milanos. Nga hetimet ka rezultuar se në konflikt u përfshinë një 60-vjeçar shqiptar dhe një familje me 3 anëtarë. Në sherr e sipër, shqiptari mori një thikë dhe goditi në gjoks kryefamiljarin 53-vjeçar, djalin e tij 24-vjeçar dhe gruan 48-vjeçare.

Më rëndë mbeti i plagosur 53-vjeçari, kurse djali i cili u plagos me thikë në dorë, dhe mamaja e tij janë jashtë rrezikut. Nga përleshja mbeti i plagosur edhe vetë 60-vjeçari shqiptar dhe do të qëndrojë në spital për 10 ditë. Kurse 53-vjeçari do të marrë trajtim mjekësor për 30 ditë.

Thika e përdorur në plagosje nuk është gjetur nga ana e autoriteteve, duke bërë që shqiptari të hetohet në gjendje të lirë për plagosje të lehtë. /tvklan.al