Këtë javë në emisionin ‘Opinion’ ka dominuar çështja Xhafaj. Për 6 puntata me radhë ‘Opinion’ është fokusuar të përcjellë përpara publikut të gjitha zhvillimet dhe denoncimet nga dita në ditë për vëllain e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj.

Vëllai i ministrit Fatmir Xhafaj, Agron Xhafaj, akuzohet nga PD se është i përfshirë në trafik droge dhe se është favorizuar nga ministri për mos kryerjen e dënimit të tij.

Si fillim PD ka publikuar një audio-përgjim të dëshmitarit Albert Veliu, e më pas e ka nxjerrë atë me zë dhe figurë, i cili në dëshminë e tij tronditëse rrëfente se ka punuar me vëllain e ministrit për trafik droge.

Të gjitha këto zhvillime, reagimet e kryeministrit dhe ministrit janë sjellë në diskutime me panel ekspertë të fushës çdo mbrëmje në ekranin e TVKlan nëpërmjet emisionit ‘Opinion’. E mesa duket është një çështje që ka patur vëmendjen e madhe edhe nga ana e audiencës. Debati dhe përplasja mes Mustafa Nanos dhe ish ministrit Gazmend Bardhi, sipas të dhënave ka shënuar shifra rekord të shikueshmërisë.

***

Mbrëmjen e të hënës “Opinion” trajtoi dy tema. Në pjesën e parë u fol për përgjimin dhe akuzat e PD-së ndaj vëllait të ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafajt, ndërsa në pjesën e dytë ishte i ftuar këngëtari Eugent Bushpepa i cili përfaqësoi Shqipërinë në Eurosong2018. Maksimumi i audiencës ishte 50.0% në orën 22:57 dhe audienca mesatar 42.0%.

Edhe të martën në darkë në emisionin ‘Opinion’ u fol për dy tema. Në pjesën e parë u trajtua çështja Xhafaj. Në pjesën e dytë në ‘Opinion’ u transmetua një intervistë ekskluzive e Presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç dhënë për gazetarin Idro Seferi. 28% ishte audeinca mesatare dhe audienca maksimale 33.3%.

Të mërkurën në emisionin ‘Opinion’, u fol sërish për çështjen Xhafaj dhe akuzat e PD-së ndaj vëllait të tij për trafik droge. Maksimumi i audiencës u shënua në orën 22:47 dhe ishte 44.7%, ndërsa audienca mesatare ishte 35.6%.

Të enjten në mbrëmje në emisionin “Opinion”, me një panel gazetarësh dhe analistësh u trajtua prapë çështja Xhafaj. Pati një sërë deklaratash të forta dhe debate mes të ftuarve në panel. Një debat i cili mori edhe vëmendjen e të gjitha portaleve ishte ai mes analistit Mustafa Nano dhe ish ministrit të drejtësisë Gazmend Bardhi.

Kjo ka marrë edhe shikueshmërinë më të madhe të javës në ‘Opinion’. Audienca mesatare atë mbrëmje ishte 34.4% dhe audienca maksimale arriti në 50.6% të audiencës. Sipas të dhënave thuajse më shumë se gjysma e shqiptarëve atë natë kanë ndjekur debatin në Opinion./Opinion.al