Disa muaj pas vrasjes së Armando Baboçit dhe plagosjes së djalit të tij 19-vjeçar, Erald Gjini, së bashku me një tjetër person, Policia e Durrësit ka bërë të mundur ndalimin e autorit të dyshuar të kësaj ngjarjeje. Në një njoftim për mediat, autoritetet policore thonë se kanë vënë në pranga 25-vjeçarin E.Gj.

Ai ishte shpallur në kërkim për ngjarjen e rëndë të ndodhur mbrëmjen e 18 Shtatorit në zonën e plazhit në Durrës.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Personit, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë penale, ndaluan shtetasin E. Gj., 25 vjeç, banues në Durrës. Ndalimi i tij u bë pasi dyshohet si autor i ngjarjes së ndodhur më datë 18.09.2020, në lagjen nr. 13, Plazh, Durrës, ku pas një konflikti për motive të dobëta mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi A. B. (Gj). dhe u plagosën shtetasit E. Gj. dhe E. T”, thotë policia në njoftimin e saj për mediat.

Të paktën 8 persona u përfshinë në konfliktin në fjalë, që dyshohet se nisi mes Erald Gjinit dhe Klodian Dacit, të cilët fillimisht lëshuan fyerje në drejtim të njëri-tjetrit e më pas nisën të goditeshin me sende të forta.

Në ndihmë të djalit të tij 19-vjeçar, ndërhyri Armando Baboçi (Gjini). Por teksa po tentonin për t’u larguar, babë e bir u qëlluan me armë zjarri.

Për pasojë, 39-vjeçari Baboçi gjeti vdekjen në spital./tvklan.al