5 personat e arrestuar për vrasjen e Armando Baboçit kanë dalë këtë të martë para gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë. Për Klodjan Dacin, Henri dhe Serxho Tatasin, gjykata vendosi masën arrest me burg. Ata akuzohen për vrasje me dashje të kryer në bashkëpunim dhe armëmbajtje pa leje. Ndërsa për Henri Begun dhe Argit Kastriotin, gjykata vendosi masën detyrim paraqitje. Ata akuzohen për moskallëzimit të krimit.

Mbrëmjen e 18 Shtatorit, një konflikt mes disa personave në zonën e plazhit në Durrës, çoi në vrasjen e 39-vjeçarit Armando Baboçi. Të plagosur mbetën edhe 2 persona të tjerë, një prej të cilëve Erald Gjini, 19 vjeç i biri i viktimës.

Fillimisht dyshohet se konflikti nisi mes Erald Gjinit dhe Klodian Dacit, të cilët u ofenduan mes tyre, ndërsa më pas nisën të goditeshin me sende të forta. Baboçi u përfshi në konflikt për t’i ardhur në ndihmë të birit. Por babë e bir u qëlluan me armë, ndërkohë që po tentonin të largoheshin.

Për këtë ngjarje në kërkim janë edhe 3 persona të tjerë./tvklan.al