Policia e Tiranës ka arrestuar 8 nga 9 personat e përfshirë në konfliktin e regjistruar mbrëmjen e së mërkurës brenda ambienteve të një lokali në afërsi të Liqenit Artificial.
Ndërkohë është shpallur në kërkim 51-vjeçari Adriano Shabanaj, i cili gjatë konfliktit qëlloi me armë zjarri, por fatmirësisht nga të shtënat nuk u dëmtua asnjë person.
Sipas policisë, konflikti ka ndodhur për motive banale mes personave, të cilët ishin lidhje shoqërore me njëri tjetrin. Fillimisht në ambientet e lokalit kanë kanë qenë 7 prej tyre, e më pas kësaj tavoline i janë bashkuar dhe dy persona të tjerë.
Një prej tyre, konkretisht Kasem Stani, ka refuzuar t’i japë dorën Adriano Shabanit, i cili ishte i pranishëm në lokal.
Ky veprim duket se nuk është pëlqyer nga 51-vjeçari, i cili fillimisht ka ofenduar me fjalë fyese 40-vjeçarin Stani e më pas ka dalë nga lokali, ka shkuar të marrë pistoletën në makinë dhe është rikthyer.
Në fillim ka qëlluar me armën e zjarrin, e më pas me qytën e pistoletës ka dëmtuar lehtë Kasem Stanin.
Pas ngjarjes të gjithë të përfshirët janë larguar me automjetet e tyre nga lokali, por brenda pak orësh janë identifikuar nga policia. Në vendngjarje është gjetur dhe arma tip pistoletë e 51-vjeçarit.
Ky i fundit rezulton të ketë qenë kryetar i komunës Kurjan kohë më parë.
Tv Klan