Ndërron jetë në spital një prej të plagosurve

Armando Baboçi, një prej dy personave që mbetën të plagosur mbrëmjen e kësaj të premteje në Durrës, ka ndërruar jetë.

Burime zyrtare të policisë thonë se 39-vjeçari Baboçi humbi jetën në spital, ku ishte transportuar së bashku me djalin e tij 19-vjeçar Erald Gjini, i cili gjithashtu mbeti i plagosur me armë zjarri.

19-vjeçari, i cili mësohet se ka ndryshuar mbiemër, ka mbetur i plagosur në dorë.

Gjithçka ndodhi rreth orës 20:00, në lagjen 13 të Durrësit. Disa persona u përfshinë në një konflikt me njëri-tjetrin, fillimisht me sende të forta. Më pas sherri degjeneroi në përdorimin e armëve.

Për ngjarjen policia shoqëroi 6 persona, mes tyre edhe autorin e dyshuar. Në njoftimin e saj për mediat, policia e Durrësit sqaroi gjithashtu se në spital ka shkuar i lënduar edhe një person tjetër, po i përfshirë në këtë konflikt.

Mbetet e paqartë se cila ishte zanafilla i këtij sherri që i kushtoi jetën 39-vjeçarit Armando Baboçi./tvklan.al