Prokuroria e Durrësit ka kërkuar një masë më të butë sigurie, ajo e “detyrim paraqitjes” për 8 të arrestuarit për konfliktin e pronësisë në Kepin e Rodonit, regjistruar mesditën e së dielës.
Mes personave, për të cilët është kërkuar lirimi nga qelia është dhe ish-deputeti, Mark Frroku, i cili përpara hetuesve ka deklaruar se nuk ka patur lidhje me konfliktin, por ishte kontraktuar për ndërtimin e rrethimit të truallit që u bë shkak i përplasjes fizike.
Ndërkohë për Besnik Tomën, i cili është shpallur në kërkim nga policia pasi në pamje filmike shfaqet duke qëlluar me armë zjarri në ajër, prokuroria ka kërkuar “arrest me burg”.
Përplasja kishte zanafilla të hershme, por degradoi të dielën, për shkak të pretendimeve që banorë të zonës dhe përfaqësues të kishës në zonën e Kepit të Rodonit kanë lidhur me një truall.
Gjithçka nisi në momentin që përfaqësuesit e kishës po kryenin rrethimin e tokës, për të cilën disponojnë certifikatë pronësie. Por me këtë dokument, pretendojnë të jenë pajisur edhe banorët e zonës.
Seanca për masën e sigurisë së caktuar ndaj tyre, pritet të zhvillohet paraditen e së enjtes në Gjykatën e Durrësit.
Tv Klan