Sherri në një lokal ka çuar në përdorimin e armëve në Himarë. Policia thotë se ka arrestuar dy persona, ka proceduar në gjendje të lirë dy të tjerë dhe ka shpallur në kërkim një person.
“Falë veprimeve të shpejta hetimore u bë i mundur finalizimi i operacionit policor të koduar “Buneci”, në kuadër të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:-E. V., 42 vjeç, banues në Himarë, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje”, “Kanosja” dhe “Plagosje e lehtë me dashje” (aktualisht ndodhet në spital, në ruajtje nga shërbimet e Policisë, pasi ka pësuar dëmtime fizike gjatë konfliktit); -N. L., 44 vjeç, banues në Himarë, për veprat penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të gjahut”. U shpall në kërkim shtetasi A. V., 46 vjeç, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje”, “Kanosja” dhe “Plagosja e lehtë me dashje”. Punohet për kapjen e tij. Gjithashtu, nisi procedimi penal në gjendje të lirë për veprën penale “Plagosje e lehtë me dashje”, për shtetasit N. L., 40 vjeç, dhe A. L., 38 vjeç, të dy banues në Himarë”, njoftoi policia.
Nga hetimet rezulton se dy kushërinjtë E.V dhe A.V janë konfliktuar fillimisht me dy vëllezërit N.L dhe A.L. Më pas i kanë kanosur këta të fundit duke qëlluar me armë zjarri në ajër. Ndërkohë ngjarja ka ndodhur në lokalin e N.L i cili ka tentuar të fshehë ngjarjen.
Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit N. L. u gjetën dhe u sekuestruan 2 armë gjahu, ndërsa në banesën e shtetasit E. V., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 1 krehër arme zjarri pistoletë, 1 shënjestër optike për snajper. Gjithashtu, në lidhje me këtë ngjarje janë sekuestruar 1 automjet tip “Audi” dhe 1 aparat celular.
Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./tvklan.al